Drejtori i Institutit New Lines për Strategji dhe Politikë me bazë në Washington D.C., Azeem Ibrahim thekson rrezikun e ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor, ndërsa kërkon që Perëndimi ta kthejë fokusin në rajon për r’i shmangur rreziqet e mundshme.
Ai tha se “Bosnjë e Hercegovina dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë në fakt në vijën e parë të ndikimit rus”.
“NATO kohët e fundit madje lëshoi një paralajmërim se Ballkani Perëndimor mund të jetë fronti i radhës për luftën e agresionit të Putinit pas Ukrainës. Për këtë arsye, ne duhet të jemi gati për atë që po vjen, dhe deri më tani politikëbërësit amerikanë, dhe Europa në përgjithësi, nuk kanë bërë një punë shumë të mirë për ta tërhequr vëmendjen në këtë rajon dhe për t’i krijuar politikat më të mira për t’u siguruar që ne nuk kemi ndikim rus dhe kinez në rajon”, tha Ibrahim në një intervistë për gazetën boshnjake, Oslobođenje.
Drejtori i institutit që e organizon edhe Konferencën e Sigurisë në Sarajevë, thotë se pritet që Rusia dhe shtetet tjera armiqësore “ta vënë theksin më të madh në Ballkanin Perëndimor”.
“Duke pasur parasysh se lufta në Ukrainë tani po mbyllet, në një mënyrë ose në një tjetër, ne presim që Rusia dhe shtetet e tjera armiqësore të vënë theksin më të madh në Ballkanin Perëndimor. Për këtë arsye, është e drejtë që ne ta kthejmë vëmendjen përsëri te Ballkani Perëndimor dhe qëllimi i Konferencës së Sigurisë në Sarajevë dhe Qendrës tonë për Ballkanin Perëndimor është të sigurojë që politikëbërësit perëndimorë të jenë të pajisur me analizat më të mira, informacionet më të mira, në mënyrë që ata t’i marrin vendimet më të mira të mundshme për rajonin, dhe kjo përfshin integrimin euroatlantik dhe largimin nga sfera e ndikimit të Rusisë dhe Kinës”, tha Ibrahim.
Ai tha se qëllimi i Rusisë dhe Kinës është që “të krijohet kaos dhe të sigurohet që Ballkani Perëndimor të mbetet thjesht në sferën e tij të ndikimit dhe të mos ecë në rrugën e integrimit në Perëndim, qoftë në NATO, BE apo kudo tjetër”.
“Pra, kjo është padyshim një zonë e vijës së parë dhe kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për më shumë theks mbi këtë çështje nga politikëbërësit perëndimorë”, tha Ibrahim.