Drejtori i Asociacionit të komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka folur për refuzimin që ata i kanë bërë takimit të thirrur sot nga kryeministri Kurti.
Ibrahimi në RTV Dukagjini ka thënë se Asociacioni i komunave të Kosovës është larguar nga Kurti nga Komiteti Anti – Covid19.
Sipas tij ky veprim i qeverisë ka indinjuar kryetarët e komunave.
“Duhet pasur parasysh se jeta e qytetarëve zhvillohet në nivelin lokal”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Ibrahimi megjithatë thotë se është lajm i mirë që sot Asociacioni është kthyer në Komitetin Anti-Covid19 si përfaqësues i pushtetit lokal në Kosovë.
Drejtori i Asociacionit të komunave të Kosovës thotë se megjithatë piku i infektimeve me coronavirus në Kosovë është arritur.
Ibrahimi megjithatë thotë se me ardhjen e kontingjenteve të reja të vaksinave, vaksinimi duhet të fillojë edhe të dielave.
“Ne kemi rekomanduar të decentralizohen qendrat e vaksinimit. Kemi përvoja edhe në rajon. Nuk kemi nevojë të shpikim ujin e nxehtë. Në komuna duhet të ketë më shumë qendra vaksinimi”.
Ibrahimi thotë se në bazë të informatave nga komunat e Kosovës, ka një ngecje në procesin e vaksinimit.
“Në bazë të informatave që kemi, deri në 7 shtator, shumica e komunave nuk kanë termine të lira për vaksinim”.
Ibrahimi thotë se megjithatë edhe pa staf të shtuar shëndetësorë nuk mund të ketë shtim të vaksinimeve./Telegrafi