Zlatan Ibrahimovic e pësoi një lëndim në gju në fitoren e Milanit 3:0 kundër Juventusit të dielën, duke e vënë në dyshim paraqitjen në Kampionatin Evropian 2020 këtë verë me Suedinë.
Sulmuesi i Milanit u detyrua ta braktisë fushën kah mesi i pjesës së dytë në Allianz Stadium, pasi e lëndoi gjurin e majtë, transmeton Gazeta Express.
Suedezi po luftonte për një top në mesfushë kur u dëmtoi gjurin në rrëzim e sipër. Ai duroi dy minuta në fushë por përfundimisht u detyrua të zëvendësohej nga Ante Rebic.
Golat nga Brahim Diaz, Rebic dhe Fikayo Tomori ia siguruan Milanit një fitore vendimtare ndaj Juves në garë për një vend në Ligën e Kampionëve.
Duke folur pas ndeshjes, trajneri i Milanit, Stefano Pioli, zbuloi se Ibra nuk kishte qenë plotësisht i gatshëm as për këtë ndeshje.
“Ibra nuk ishte i shëndoshë para ndeshjes, ai ndien dhimbje në gju dhe shpresojnë se nuk është shumë serioze”, tha Pioli.
Nuk janë dhënë detaje rreth lëndimit të tij, prandaj mbetet pikëpyetje e madhe se sa gjatë do të mungojë Ibrahimovic.
Ai ka pasur disa lëndime serioze në gju gjatë karrierës së tij.
Synimi i Ibrahimovicit këtë vit ka qenë të luajë për Suedinë në Euro 2020, që mbahet këtë verë, por ky lëndim mund t’ia rrezikojë atij paraqitjen për kombëtaren.