Zlatan Ibrahimoviq pranon se e ardhmja e tij te Milani dhe po ashtu edhe karriera e tij në futboll është në dyshim.
Ibrahimoviq është kthyer te Milani në janar pas periudhës së kaluar në ligën MLS të ShBA-së te klubi LA Galaxy. Ai ka lënë gjurmë duke shënuar katër gola në 10 ndeshje për Milanin në të gjitha garat.
Kontrata e Ibrahimoviqit me klubin italian skadon në fund të stinorit, por raportohet se 38-vjeçari nuk do ta vazhdojë kontratën, pasi është irrituar me shkarkimin e drejtorit Zvonimir Boban.
“Do të shohim, ende nuk e di se çfarë do të bëjë. Çdo ditë po duket se po ndodh diçka e re. Italia është shtëpia ime e dytë dhe ka qenë magjike të luaj sërish në një ‘San Siro’ të mbushur. Më ka munguar pasioni që italianët e kanë për futbollin e tyre”, ka thënë Ibrahimoviq për “Svenska Dagbladet”.
Para se të urdhërohej mbyllja e vendit, Ibrahimoviqi arriti të largohej për në Stockholm për të qëndruar me bashkëshorten dhe familjen.
“Kush ka mundur të parashikonte këtë pandemi të koronavirusit? Është trishtuese që turnetë janë ndaluar, por duhet të respektojmë rregullat dhe të jemi të durueshëm. Shëndeti është gjëja më e rëndësishme. Duhet të provojmë të shijojmë jetët tona. Unë kam një familje për të cilën duhet të kujdesem, familja ime është e lumtur këtu, kështu që jam i lumtur edhe unë. Unë dua të vazhdoj të zhvillohem, por nuk po mendoj vetëm për veten dhe futbollin tim, por për çdo gjë rreth meje: familjen time dhe lumturinë time. Futbolli është karriera ime, por ka shumë më tepër në jetën time. Dua të mësoj diçka të re, të bëhem person më i mirë dhe të barti gjithë këtë te ata rreth meje, jo vetëm në fushë futbolli”, ka thënë Ibrahimoviq.