Identifikohen katër raste të kontrabandimit me duhan, sekuestrohen mbi 340 pako me cigare

Prishtinë | 13 Jan 2025 | 15:54 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës (PK) njofton se në katër raste gjatë dhjetorit 2024 dhe janarit 2025, ka sekuestruar pako me cigare në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Në njoftim thuhet se zyrtarët kufitar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, si rezultat i implementimit të planeve operative dhe angazhimeve shtesë në identifikimin dhe parandalimin e kontrabandës në Aeroport, kanë realizuar disa veprime konkrete mbi dyshimet e bazuara për kontrabandim të duhanit/cigareve, të cilat përmes Kosovës kanë tentuar të destinohen kryesisht në Mbretërinë e Bashkuar, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Si rezultat i angazhimeve dhe veprimeve policore vetëm përgjatë muajve dhjetor 2024 – janar 2025, janë identifikuar katër raste të kontrabandimit me duhan/cigare, ku persona të dyshuar me shtetësi të huaj dhe të Kosovës, kanë tentuar që të kontrabandojnë pako/shteka me cigare prej sasive të ndryshme, për në qytetin e Londrës”, thuhet në njoftim.

Në rastin e fundit, të ndodhur më 11 janar 2025, thuhet se është parandaluar kontrabandimi i 41 pakove/shtekave me cigare, të cilat një shtetas i Bullgarisë ka tentuar përmes Kosovës t’i kontrabandojë në Londër, pasi destinimi i tij ishte për në këtë qytet.

“Në këto katër raste Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, ka sekuestruar mbi 340 pako/shteka me cigare të llojeve të ndryshme, kryesisht të llojeve të shtrenjta. Policia e Kosovës së bashku me institucionet kompetente, njofton opinionin dhe qytetarët se ka rritur angazhimet dhe prezencës e saj në kontrollet e pasagjerëve, tek të cilët ka dyshime për kontrabanda të tilla”, njofton Policia. 

Të ngjashme