Idris Sulejmani zotohet se do të jetë zëri i shqiptarëve në Kroaci

Prishtinë | 21 Qer 2020 | 14:11 | Nga Ekonomia Online

Zgjedhjet parlamentare në Kroaci janë paraparë të mbahen më 5 korrik.

Një rëndësi të veçantë këto zgjedhje do ta kenë për shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Kroaci.

Përveç se vetëm për të marrë pjesë ata do të kenë mundësinë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre.

Klan Kosova ka zhvilluar një intervistë me kandidatin për deputetë për Kuvendin e Kroacisë Idris Sulejmani.

Sulejmani tha se në Kroaci janë diku 18 mijë shqiptarë.

“Nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2011-të kanë dalë 18 mijë shqiptarë që jetojnë në Kroaci, 12 mijë me të drejtë vote. Tani për shkak të situatës me Covid-19 janë dikun 6 mijë shqiptarë për shkak se të tjerët kanë dalë nga shteti, tani sipas informatave do të dalin dikun 3 mijë e 500”.

“Pakicat kombëtare ndahen në pesë grupe. Dhe shqiptarët hynë në grupin e pestë bashkë me: boshnjakët, malazezët,maqedonët dhe sllovenët”.

“Të gjithë kandidatët garojnë në një listë të pakicave dhe ai i cili i merr shumicën e votave është fituesi”.
Ai theksoi se komuniteti shqiptarë atje përballet me shumë probleme.

“Shqiptarët përballen me shumë probleme. Janë problemi i dokumentacionit. Problemi i ushtarëve. Shqiptarëve u thuhet se duhet ta lëshojnë nënshtetësinë e Serbisë. Kjo është absurde. Kosova dhe Kroacia e njohin njëri-tjetrin si shtet. Kjo është biznes. Shqiptarët maltretohen dhe detyrohen të marrin avokatë për ta hequr shtetësinë e Serbisë”.

Sipas tij problematike është edhe marrja e shtetësisë.

Për këto probleme ai e sheh fajtore deputeten shqiptare që ka qenë në Kuvendin kroat, për të cilën thotë se nuk ka thënë asnjë fjalë për këto probleme.

“Problem është edhe marrja e shtetësisë. Me ligj është që pesë vjet duhet të jesh banor i Kroacisë. Ka shumë raste kur njerëzit janë edhe 10 vjet banorë të Kroacisë dhe nuk e marrin shtetësinë”.

“Fajtore është neglizhenca nga administrata. Po ashtu edhe deputetja shqiptare që ka qenë nuk e ka thënë asnjë fjalë për këto probleme”.

Idris Sulejmani përmend edhe probleme të tjera, ndër ta edhe mosnjohja e statusit të luftëtarëve shqiptarë që kishin luftuar për Kroacinë.

“Problemi i pazgjidhur i ushtarëve. Që disa vjet shqiptarët që kanë luftuar nuk ju njihet e drejta e statusit të luftëtarit. Ata nuk gëzojnë beneficion nga shteti”.

“Gjithashtu nuk ju lejohet edhe blerja lokaleve të ndryshme atje”.

Kandidati shqiptar për deputetë shton se diskriminimi vazhdon edhe kur ata duhet të japin votën.

“Diskriminimi nga shteti kroat bëhet edhe kur shqiptarët shkojnë për të votuar. I pyesin se a doni të merrni fletvotimin e partive apo pakicave? Kjo besoj se nuk ishte dashur të ju interesojë fare atyre se për kënd votojnë. Madje në rajonin e Dalmacisë dhe Sllavonisë, kanë frikë të kërkojnë fletën”.

Ai zotohet se do të jetë zëri i shqiptarëve në Kuvendin e Kroacisë.

“Në qoftë se duan që shqiptarët ta kenë zërin e tyre dhe të ju degjohet zëri ta votojnë Idris Sulejmanin me numër 6. Unë jam kandidat i pavarur dhe nuk jam i ngjitur për ndonjë parti apo interes”.

Sulejmani iu bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që janë shtetas të Kroacisë por që jetojnë apo punojnë në ndonjë vend tjetër që deri më datën 24 qershor të lajmërohen në Ambasadat e Kroacisë, dhe të shfrytëzojnë të drejtën për të votuar.

” Deri më datën 24 qershor të lajmërohen në Ambasadat e Kroacisë dhe të shfrytëzojnë të drejtën për votim. Të votojnë. Por edhe duhet të deklarohen se janë shqiptarë”.

Ndër të tjera pretendenti për një vend në legjislativin kroat tha se shqiptarët në të gjitha aspektet i kanë ndihmuar Kroacisë.

Të ngjashme