Akademik Idriz Ajeti do të mbahet mend për punën, veprimtarinë e tij në rrugën e drejtësisë, kombëtare dhe intelektuale.
Kështu u tha në mbledhjen komemorative me rastin e vdekjes së akademik, Idriz Ajeti në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i AShAK-ut, Nexhat Daci, tha se janë krenarë që e kanë pasur krahë vetës një akademik si Idriz Ajeti.
“Jemi krenarë që e patëm aq gjatë udhëheqës, koleg dhe mik. Asnjëherë akademik Ajeti nuk ka lëshuar rrugën e drejtësisë, kombëtare e intelektuale dhe e kemi pasur gjithherë në përkrahje”, tha Daci, raporton EO.
Akademiku, Rexhep Ismaili ka prezantuar veprimtarinë e akademikut tashmë të ndjerë, Idriz Ajeti, që nga hapat e tij të parë të shkollimit e deri në fund të jetës së tij.
“Si dijetar ai luftoi për drejtësinë e popullit të tij në mjedisin ju vepro dhe në tërë veprimtarinë kishte dinjitetin e ngrohtësinë për prosperitetin e popullit të tij dhe fqinjësinë me popujt tjerë. Ajeti ka merita të mëdha për hapjen e mjedisit studimor e universitar ndaj botës në ish-Jugolsllavi përtej kufijve të shtetit dhe raportet me instancat studimore të Shqipërisë”, u shpreh Ismaili.
Ismaili tha se ndjehet krenarë që pati fatin të punoj me Ajetin për një kohë të gjatë. Ai tha se brezat do kenë shumë për të mësuar nga veprimtaria e tij.
“Veprimtaria e tij tregon se iu qas studimit të gjuhës shqipe me një respekt, gjuha shqipe e kishte Idrizin një nga kujdestarët më të mëdhenj të saj. Ishte personalitet që ndikonte në zhvillimet e studimeve të mëtejshme, ka qenë i angazhuar në diskutime e reagime të ndryshme në ish-Jugosavi gjithnjë në mbrojtje të gjuhës shqipe dhe të shqiptarëve në përgjithësi”, shtoi ai.
Pranë arkivolit të të ndjerit, akademikut Idriz Ajeti u bënë homazhe nga të pranishmit,
Ceremonia e varrimit të Idriz Ajetit do të bëhet në orën 15:30 në varrezat e qytetit në Prishtinë.
Sot në morën 102-vjeçare, ka ndërruar jetë albanologu, gjuhëtari e intelektuali, pedagogu dhe anëtari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe kryetar i saj në dy mandate, akademik Idriz Ajeti.
Ai ka lindur në Tupallë të Jabllanicës së Epërme, me 27 janar 1917. Shkollën fillore e kreu në Banjë të Sijarinës, të mesmen në Shkup, më 1938.
Po atë vit u regjistrua në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Zagrebit, në Degën e Romanistikës. Studimet i mbaroi pas lufte, më 1949 në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Beogradit. Deri në vitin 1953 ishte profesor i gjuhës shqipe në Gjimnazin e Prishtinës.