Me rastin e 1 Shtatorit, Ditës së Dëshmorëve të Kombit të Komunës së Vushtrrisë, bëhen homazhe për nderë të dëshmorëve.
Komuna e Vushtrrisë nën patronazhin e kryetarit, Ferit Idrizi kanë filluar sot aktivitetin me karnavalin e fëmijëve dhe kanë vizituar memorialin e dëshmorëve.
Më pas, Idrizi ka bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve ku vizitoi edhe familjarët e tyre.
Idrizi në një prononcim për Ekonomia Online, ka thënë se kjo ditë është e veçantë për Komunën e Vushtrrisë, duke shtuar se kjo ditë dëshmon së ky popull ka liri dhe të ardhme.
“Kemi ardhur këtu për të nderuar dëshmoret jemi me invalidë dhe veteranë të luftës, përfaqësuesve e institucioneve dhe shoqatave te dala nga lufta qendrore dhe vendore por kemi edhe gjeneralët që kanë udhëhequr luftën. Është një ditë e veçantë që dëshmon se një popull që ka dëshmorë ka lirinë dhe të ardhmen. Por këtë të ardhme duhet ta forcojmë she ta trashëgojmë brez pas brezi. Kjo ditë është jashtë zakonisht e rëndësishme na kthen në memorien tonë luftën e lavdishme dhe gjakun e derdhur për lirinë dhe pavarësinë. Janë mbi 13 mijë të vrarë për ketë liri që kanë dhënë jetën. Prandaj është shumë me rëndësi për të rinjtë që ta dinë të kaluarën për pasur rrugëtimin për të ardhmen”, ka thënë Idrizi.
Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Fëshmorëve të UÇK-së. Dega e Vushtrrisë, Gëzim Zuçaku për Ekonomia Online ka potencuar se kjo komunë ka 72 dëshmorë të rënë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Ne i kemi 72 dëshmorë të cilët kanë rënë gjithandej kudo nëpër betejat e Kosovës. Sot kemi filluar aktivitetet nga mëngjesi me karnavalin e fëmijëve sepse obligimi ynë është të nderojmë dëshmorët e kombit sepse duke nderuar dëshmorët e kombit nderojmë edhe luftën tonë te lavdishme”, ka thënë Zuçaku.