Më shumë se 26 milionë euro do të jetë buxheti i Komunës së Vushtrrisë për vitin 2024. E ky buxhet, sipas kryetarit Ferit Idrizi, do të shpenzohet siç thotë në mënyrë racionale dhe në përmbushje të premtimeve elektorale, raporton Ekonomia Online.
Por telashe si çdo komunë tjetër po ka edhe Vushtrria. Bëhet fjalë për procedurat e prokurimit, pasi kompanitë tjera po i dërgojnë rastet në OShP. Këtë gjë, Idrizi ka kërkuar të ndryshojë, pasi rastet po vonohen dhe po pamundësohet shfrytëzimi i buxhetit për projekte kapitale.
Duke folur për vlerësimin që i ka bërë Instituti GAP rreth përmbushjeve të premtimeve, Idrizi është shprehur optimist se do t’i përmbush të gjitha premtimet. Thotë se ndjehet mirë kur vlerësohet qeverisja e tij.
“Është e vërtetë se nga Instituti GAP ne kemi dalë ndër komunat që i kemi përmbushur premtimet më së miri. Kjo rrjedh nga fakti se jemi bazuar në programin që e kemi pas. Kam qenë shumë racional gjatë premtimeve të fushatës, mandej ato i kam përgatit në formë të programit dhe jemi bazuar kryesisht në program dhe ai program ka qenë i bazuar në nevojat e qytetarëve dhe unë ndjehem jashtëzakonisht mirë dhe kur vërtetë bëhet një vlerësim i tillë, ndjehem jashtëzakonisht mirë kur qytetarët ndjehen të kënaqur me qeverisjen tonë”, thotë Idrizi.
Sfidë për qeverisjen e Idrizit ka qenë edhe parandalimi i vërshimeve, pasi në fillimvit Vushtrria u përballë me këtë dukuri. Ai thotë se prioritet i ka dhënë edhe arsimit në këtë komunë.
“Po këto janë në vazhdën e projekteve që i kemi. Fillimisht jemi ndërmarrë me parandalimin e vërshimeve. Kemi punuar jashtëzakonisht gjatë me pastrimin e përroskave, përonjëve dhe lumenjve. Mandej premtimi tjetër ka qenë investimi në arsim që ka qenë prioritet i imi, zhvillimi i kapaciteteve të rinjve dhe të rejave që kemi investuar shumë dhe premtimet tjera janë pjesë e programeve që do të realizohen. Besoj fuqishëm se deri në fund ne do t’i përmbushim të gjitha premtimet”, u shpreh Idrizi, teksa foli edhe për votimin e buxhetit për vitin 2024.
“Po e kemi kaluar buxhetin me shumicë votash. Nuk isha mjaftueshëm i kënaqur sepse vitin e kaluar e kemi miratuar me vota unanime, edhe pse këtë vit çdo gjë e kemi bërë transparente dhe i kemi mbajtur dëgjimet buxhetore e kemi biseduar me grupet e interesit, por megjithatë një pjesë e asamblistëve nuk e votuan, ndonëse nuk kishin propozime konkrete se çka do të kishin shtuar në buxhet. Kemi projekte që i quajmë projekte për transformimin e qytetit të Vushtrrisë, që përpos të gjitha lokaliteve që i kem prek me projekte të investimeve kapitale, siç janë; rrjeti i ujësjellësit në fshatrat e pjesës lindore të qytetit. Investime tjera i kemi në qytetin e Vushtrrisë siç është sheshi i qytetit që është hartuar një projekt i mirë e që do t’i përmbush të gjitha nevojat e qytetarëve, përfshirë edhe parkingun nëntokësor, mandej është tregu i qytetit dhe tashmë kemi filluar me ndërtimin e tri rrugëve në qytet”, u shpreh Idrizi.
Ndonëse 7 milionë euro do të shfrytëzohen për investime kapitale, Idrizi thotë se disa janë veçse të kontraktuara. Ndërkaq për vitin e ardhshëm shuma për investime të reja kapitale do të jenë mbi 3 milionë euro.
“Shuma e planifikuar për vitin 2024 është afër 7 milionë euro por një shumë e tyre veçse është e kontraktuar se kemi pasur projekte dyvjeçare siç janë rrugët ‘Lumni Surdulli’, ‘Avni Saraçi’ e ‘Bekim Berisha’, veç janë të kontraktuar operatorët. Një pjesë e mjeteve paguhen këtë vit, pjesa më e madhe paguhet vitin e ardhshëm por si mjete të mbetura për projekte të reja për vitin e ardhshëm, është 3 milionë e 600 mijë euro. Megjithatë me u shpenzu ky buxhet në mënyrë racionale i zgjidh problemet e qytetarëve”, u shpreh tutje Idrizi, teksa ka kritika edhe për mënyrat e tenderimit.
“Kemi shumë pengesa te procedurat e tenderimit, jo vetëm Komuna e Vushtrrisë por të gjitha komunat. Këtë hall e kanë edhe ministritë e linjës por unë dua të mendoj pozitivisht se të gjitha të gjeturat në Ligjin e Prokurimit të eliminohen ato barriera të panevojshme që kanë ndikim negativisht dhe të thjeshtësohen procedurat, në mënyrë që komunat të shpenzojnë buxhetin në mënyrë të planifikuar dhe racionale”, thotë Idrizi, teksa merr si shembull ankesat në Organin Shqyrtues të Prokurimit kundër Komunës së Vushtrrisë.
“Një ankesë e një operatori për një projekt të caktuar, zvarritet dhe procedurat i shtynë për tre muaj dhe marrë parasysh që penalizimi për operatorët të cilët nuk e fitojnë rastin është shumë i ultë, nga 1 mijë deri në 5 mijë euro e që ka gjasa që për teke të tyre bëjnë ankesë dhe ne kemi pasur këso raste edhe pse të gjitha rastet ne i kemi fituar. Çka do të thotë se procedurat e prokurimit janë udhëheq në mënyrë të drejtë por humbës mbetet komuna sepse neve askush nuk na kompenson kohën e humbur, anipse ne i kemi fituar rastet në OShP”, u shpreh Idrizi.