Idrizi thotë se iu pamundësua t’i vizitojë ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Vetëm Jakup Krasniqin e takova

Vushtrri | 28 Nën 2023 | 14:24 | Nga Hasan Hoti

Komuna e Vushtrrisë ka mbajtur Akademi Solemne me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, raporton Ekonomia Online. Edhe në këtë Akademi Solemne u përmendën ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi në fjalën e tij para të pranishmëve, tha se u pamundësua vizita te ish-krerët e UÇK-së në Hagë. Në pamundësi për t’i takuar të gjithë, Idrizi tha se arriti ta takojë vetëm Jakup Krasniqin.

“Kjo ditë është e veçantë sepse ngërthen në vete shumë ngjarje historike që kanë koiçiduar me të njëjtën datë, është ngritja e Flamurit të Skënderbeut, e Ismail Qemalit e Isa Boletinit, është ditëlindja e komandantit legjendar, Adem Jashari, është ditëlindja e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës ku sot 26 vjet më parë në Llaushë të Drenicës doli UÇK-ja për ta larguar një herë e përgjithmonë armikun nga trojet tona. Por edhe pas kësaj toke, Kosova nuk është e qetë sepse ata që udhëheqen luftën e UÇK-së, sot përballën padrejtësisht me një gjykatë të padrejtë në Hagë, prandaj dua t’u sjellë përshëndetjet e tyre dhe urimin më të ngrohtë për juve qytetarë të Vushtrrisë”.

“Unë bëra përpjekje me bashkëpunëtorë që t’i vizitoj edhe pse na u ndalua vizita me Thaçin, Veselin e Selimin, arritëm ta takojmë Jakup Krasniqin. Bacën Jakup me atë mjekër të bardhë që i ngjasonte Ismail Qemalit dhe ai u përshëndeti të gjithëve në emrin e tij por edhe në emër të shokëve të tij”, u shpreh Idrizi.

Komuna e Vushtrrisë shënon 111-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

Komuna e Vushtrrisë me aktivitete të shumta ka shënuar 28 Nëntorin, 111 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, bashkë me kabinetin qeveritar, përfaqësuesit e Shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora lulesh tek varrezat e dëshmorëve të kombit në Bletaj.

Më pas bashkë me nxënësit e shkollës SHMU-1, të veshur me veshje kombëtare e plisa në kokë, u zhvillua marshi nga sheshi “Hasan Prishtina” e deri tek Qendra e Kulturës.

Gjithashtu, për të shënuar 28 Nëntorin, është mbajtur edhe një akademi solemne, ku festën e madhështoi programi artistik me këngë e valle tradicionale interpretuar nga artistët e Ansamblit “Hasan Prishtina”.

“Shqipëri, gëzuar 111 vjetori i Pavarësisë”, tha kryetari i Komunës së Vushtrrisë Ferit Idrizi.

Të ngjashme