Kryetari i Vushtrrisë Ferit Idrizi, ka vizituar kompaninë “Loni Dekor”, ku për herë të parë ka filluar me mësimin dual për nxënësit e shkollës së mesme të lartë “Lutfi Musiqi”, raporton Ekonomia Online.
I pari i Vushtrrisë ka parë nga afër se si po shkon puna e nxënësve në këtë kompani.
Ai ka thënë se mësimi dual është bërë për herë të parë në Vushtrri, ku nxënësit e kanë mundësinë që përveç mësimit teorik të kenë edhe atë praktikë.
Përveç kësaj, Idrizi ka njoftuar se nxënësit e kanë të hequr shujtën ditore, sigurimin shëndetësor dhe një stimulim material.
“Jam shumë i lumtur kur i kam parë nxënësit dhe kemi filluar mësimi dual. Një koncept bashkëkohor i përgatitjes të rinjve për tregun e punës. Atë që e pamë në terren e pamë që nxënësit ishin shumë të kënaqur me arritjet e tyre të deritashme. Faton Hyseni është i pari që na ka hapur dyert këtyre nxënësve për tu përgatitur profesionalisht në vendin e punës me të gjitha kushtet qysh i kanë të rinjtë në vendet Perëndimore në vendet e zhvilluara, si në Suedi ose Finlandë. E kanë sigurimin shëndetësorë, shujtën ditore të ushqimit dhe një stimulim material”, ka thënë Idrizi.
Drejtori i kompanisë “Loni Dekor”, Faton Hyseni, ka thënë se ky proces është i nevojshëm për shkak se nxënësit iu ofrohen kushte më të mira në të ardhmen.
“Dua ta falënderoj kryetarin për mundësinë e mësimit dual për nxënësit që janë duke e kryer praktikën këtu. Jemi shumë të kënaqur me këtë proces është proces shumë i nevojshme nxënësit janë duke e kryer këtë trajtim dhe janë duke u avancuar dhe shpresoj që në të ardhmen do të jenë bartës të trajtimit në kompaninë tonë po edhe kudo që e gjejnë vetën. Prej kryetarit kemi pasur shumë mbështetje ka qenë i nevojshëm ky proces dhe kryetari e ka mbështet”, u shpreh Hyseni.
Kurse instruktori i kësaj kompanie, Riad Sejdiu ka thënë se të punësuar në këtë kompani janë 7 nxënës dhe në të ardhmen pret të ketë rritje të numrit.
“Jemi duke zhvilluar mësimin dual për nxënësit e shkollës së mesme, për momentin jemi duke punuar në kompaninë me nxënësit. Me të vërtetë është bërë një punë e madhe, me këtë marrëveshje që arrit me shkollën dhe kompaninë nxënësit janë ngrit dhe zhvilluar në mënyrë profesionale, teorike dhe praktike. Për momentin janë shtatë nxënës, pasi që është hera e parë që është punuar besojmë që më vonë të rritet numri”, ka deklaruar Sejdiu.
Nxënësja Leonita Deliu, është shprehur falënderues ndaj kryetarit për mundësinë e praktikës.
“E falënderojmë kryetarin për mundësinë, jam në klasë të 10 jam në praktikë, po kalojmë shumë mirë me të gjithë. Është hera e parë që po punojmë nga shkurti kemi filluar të punojmë tani janë bërë gjashtë muaj punë”.
Kurse nxënësi, Valmir Ismaili ka njoftuar që kalon shumë mirë në punë për shkak të kushteve të mira të ofruar nga kryetari.
“Jam në shkollën e mesme teknike, në profesionin e zdrukthëtarisë. Ndihemi shumë mirë që shkolla na ka ofruar. Këtu kam mësuar shumë, kemi shujtën ditore, sigurimin shëndetësor, kushtet janë shumë të mira”, tha Ismaili.