Raportet mes Kosovës dhe Serbisë janë tejet komplekse dhe nuk mund të shikohen përmes prizmit “bardh-zi”. Ripërtëritja e dialogut ka më shumë sesa domethënie simbolike: Kryeministri Hoti është “fytyrë e re” në tavolinën e negociatave dhe përfaqëson Kosovën në kohën kur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përballet me aktakuzë për krime lufte dhe kur kriza pandemike po vazhdon, ka vlerësuar Instituti Ndërkombëtar për Studime Ballkanike dhe të Lindjes së afërt (IFIMES) me seli në Lubjanë, në analizën e vet të radhës rreth Ballkanit Perëndimor.
E titulluar “Përpjekja për përsëritjen e historisë”, analiza trajton dialogun e rinisur pas 18 muajsh ndërprerjeje, midis Kosovës dhe Serbisë.
Dialogu ka rifilluar më 16 korrik, i kryesuar nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Krahas takimit mes tyre, kanë nisur edhe takimet mes grupeve të ekspertëve të pjesëmarrësve në dialog.
Pjesë e dialogut nuk është më presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndaj të cilit është ngritur aktakuzë nga Zyra e Prokuorit të Specializuar, transmeton KOHA.
Sipas institutit lubjanas, e dukshme është fuqia e pabarabartë e pjesëmarrësve në dialog.
“Kryeministri i Kosovës Hoti nuk e ka përkrahjen politike për vazhdimin e dialogut. Qeveria e tij u krijua me vetëm 61 prej 120 votash, pikërisht sa i duheshin. Në Kuvendin e Kosovës, një opozitë e fortë e Lëvizjes Vetvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës konsiderojnë se qeveria aktuale nuk ka legjitimitet ta udhëheqë dialogun”, shkruhet në analizë.
Dialogu, sipas IFIMES, nuk do të jetë aspak i lehtë, “pasi që në fokus do të vihen çështja e dhimbshme e të zhdukurve, por edhe mos përmbushja e marrëveshjeve të arritura dhe të nënshkruara në Bruksel më 2013, lidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe”.
Se dialogu nuk mund të shikohet nga prizmi “bardh e zi”, si shkruan instituti nga Lubjana, konfirmohet edhe nga fjalët e Vuçiqit.
“Mund të flasim për gjithçka, nëse bëhet fjalë për kompromis. E rreth asaj që shqiptarët të fitojnë gjithçka dhe Serbia asgjë – nënshkrimin tim nuk do ta merrni kurrë”, kishte deklaruar ai.