Dy organizatat kryesore të gazetarëve në botë, Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ) dhe Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) janë solidarizuar me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, duke dënuar 6 sulmet e shënuara në dhjetor ndaj gazetarëve që kanë raportuar nga veriu i Kosovës.
“Jemi të lehtësuar të dëgjojmë se tensioni është ulur, pasi serbët filluan të largojnë barrikadat më 29 dhjetor, në veri të Kosovës, por përpjekjet diplomatike duhet të vazhdojnë në mënyrë që gazetarët të mund të veprojnë të sigurt në rajon”, tha Sekretari i Përgjithshëm i EFJ-së, Ricardo Gutiérrez.
“Tani duhet të bëjmë progres në dialogun për të garantuar sigurinë e gazetarëve, por duhet për të bërë progres edhe në shumë raste të mosndëshkimit për vrasjet dhe zhdukjet e gazetarëve në rajon”.
“Sulmet ndaj gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medieve janë të papranueshme. Ne mirëpresim progresin e bërë për të ulur tensionet dhe u kërkojmë autoriteteve të ndërmarrin masat e duhura për të garantuar ambient të sigurtë për gazetarët në terren. Shumë raste të gazetarëve të vrarë dhe të zhdukur në rajon ende nuk janë dënuar. Prandaj, miratimi i një Konvente të OKB-së për sigurinë dhe pavarësinë e gazetarëvë është shumë i nevojshëm”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i IFJ-së, Anthony Bellanger.
Leonita Bajrami – gazetarja e Top Channel, u vu në shënjestër të eksplozivëve piroteknikë teksa po raportonte për barrikadat e reja atë të martë, në sulmin e gjashtë kundër gazetarëve dhe punonjësve të medias në veri të Kosovës. Më herët gjatë muajit, u raportuan pesë sulme të tjera.
Një ekip i Kallxo.com, u sulmua afër shkollës teknike në Mitrovicë më 9 dhjetor, teksa me eksploziv u sulmua të nesërmën një ekip i RTV Dukagjinit. Më 19 dhjetor, ekipi i Klan Kosovës që përbëhej prej dy personave, teksa po raportonin pranë barrikadave në Zubin Potok, u sulmuan me gurë nga persona të maskuar.
Ekipi i televizionit TëVë1, më 20 dhjetor u gjend afër pranë një shpërthimi piroteknik, teksa një ekip tjetër i Klan Kosovës kishte të njëjtën përvojë me kolegët e tyre nga e njëjta media, pasi vetura e tyre u sulmua me gurë dhe iu thyen xhamat e veturës. Shoferi Elsad Sinani ka qenë i pranishëm të dyja herët.