Instituti Hulumtues për Ekonomi dhe Financa (IHEF), ka mbajtur konferencë për medie, në të cilin kanë prezantuar arsyen e themelimit, raporton Ekonomia Online. Aty u tha se ky Institut do të jetë në shërbim të zhvillimit të Kosovës, “pa politikë”, por me politikë dhe strategji ekonomike me një kulturë evropiane.
Sipas krerëve të Institutit, synimi i IHEF-së është që të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin e Kosovës përmes promovimit, analizës dhe aplikimit të ideve, zhvillimit të koncepteve dhe dijes. Drejtori ekzekutiv i këtij Instituti, Fehmi Mehmeti, ish-guvernator i BQK-së, tha se Kosova po përballet dy sfida, papunësinë dhe deficitin e lartë tregtar.
Mehmeti tha se për të tërhequr investime të huaja, Qeveria nevojitet që të shpall një zonë ekonomike në nivel nacional, të orientoj buxhetin e shtetit në këtë zonë në mënyrë që investitorëve t’iu krijohen kushtet e favorshme.
“Ne nuk kemi palë që të merremi me të kaluarën por qëllimi është që t’i identifikojmë problem dhe te ju japim zgjidhje problemeve. Dy sfidat që i ka pasur Kosova janë papunësi dhe deficiti i lartë tregtarë. Prioritetet që duhet ti ketë Qeveria për zgjidhjen e problemeve dhe sfidave, janë që qeveria për të pasur zhvillim ekonomik dhe rritje ekonomike, nevojitet që qysh në fillim të formoj grupet punuese në nivel nacional të ekspertëve të ekonomisë që të krijojnë strategjinë e zhvillimit ekonomik në nivel nacional”.
“Në kuadër të strategjisë së zhvillimit ekonomik, nevojitet që të parasheh politika zhvillimore në fushën e krijimit të kushteve për investitorët potencial. Politikat zhvillimore duhet të jenë të fokusuara në tërhequr e investimeve të huaja. Për të tërhequr investime të huaja nevojitet që të shpall një zonë ekonomike në nivel nacional, të orientoj buxhetin e shtetit në këtë zonë në mënyrë që investitorëve t’iu krijohen kushtet e favorshme për të investuar në Kosovë. Kjo zonë duhet të ketë zgjidhjen e problemit të infrastrukturës, sigurimin e rrymës 24 orë pa pasur nevojë investitorët të investojnë në fillim për gjenerator, t’iu ofroj investitorëve moratorium fiskal në bazë të vlerave të cilat do t’i investojnë dhe numrit të të punësuarve që do t’i punësojnë, subvencionoj për vitin e parë 50% të pagave të punonjësve për vitin e parë”.
“Në koordinim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës ti propozoj Këshillit që në kuadër të Gjykatës Komerciale të jetë një departament i veçantë për investitorët e huaj për zgjidhjen e kontesteve eventuale në një afat prej 2 muajve maksimumi, t’iu ofrohet mbështetja për sigurinë e investimeve nëpërmjet zotimeve shtetërore (ku kjo mbështetje do t’iu ofrohej për t’iu treguar se është bërë studimi i fizibilitetit se cili sektor ka nevojë në Kosovë për të investuar) dhe t’iu mundësohen investimet e përbashkëta (Joint Venture) duke zbatuar partneritetin publiko privat”.
“Në mënyrë që të kemi zvogëlim të deficitit tregtar, Qeveria duhet me përpikëri të zbatoj pikën e parë, Në fillim duhet të orientohemi në zvogëlimin e importit me produktet zëvendësuese të cilat do të prodhohen në zonën ekonomike. Gjithashtu Qeveria duhet të krijoj Diplomacinë Ekonomike, e cila do të ishte promotorë kryesor të promovimit të zonës ekonomike tek investitorët e jashtëm për ti informuar lidhur me kapacitetet të cilat i kanë për të investuar në Kosovë. Duke i informuar për kostot shumë më të ulëta në raport me vendet e tjera të BE-së, nga kostot tatimore, fuqia punëtore, subvencionimi pagave, zotimi shtetëror, Departamenti veçantë për Investitorët të jashtëm në kuadër të Gjykatës Komerciale, mundësia për Joint Venture të investimeve etj. Andaj me këto intervenime ekonomia e Kosovës do të kishte një impakt në zvogëlimin e deficitit tregtar nëpërmjet zvogëlimit të importit me produkte zëvendësuese të cilat do të prodhoheshin në Kosovë te zona ekonomike”, tha ai.
Mejdi Bektashi ekspert i jashtëm, tha se situata ekonomike momentale është pothuajse e pafavorshme për investitorët e huaj në mënyrë që të orientojnë investimet e tyre në Kosovë, .
“IHEF synon të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin e Kosovës përmes promovimit, analizës dhe aplikimit të ideve, zhvillimit të koncepteve dhe të dijës. Kosova, si shtet i ri, ka nevojë për ide dhe plane konkrete që do të jenë një mundësi më e mirë për institucionet, si ato publike ashtu edhe ato private”.
“Situata jo e favorshme politike ka ndikuar që në Kosovë të tërheq vëmendjen e lidershipit politik nga ekonomia. Situata ekonomike momentale është pothuajse e pafavorshme për investitorët e huaj në mënyrë që të orientojnë investimet e tyre në Kosovë. Zhvillimi i hovshëm ekonomik, është nevoja më e madhe që e ka Kosova në përgjithësi e më së shumti qytetarët e Kosovës”, tha ai.
Medain Hashani, ekspert i jashtëm, i bëri thirrje qeverisë që të lerë anash inatet politike dhe të thërras ekspert të jashtëm që të punojnë në një strategji për zhvillim ekonomik.
“Vetë objektivi i Instituti është objektiv që ne nuk dëshirojmë që të merremi me çështje politike. Do të jetë orientues dhe rekomandues për qeverinë e Kosovës, qeveria duhet që ti merr për bazë. Rekomandimi kryesor është që Qeveria e Kosovë t’i lërë anash inatet politike dhe t’i merr për ekspertë për krijimin e një strategji të zhvillimit ekonomik. Është një vit sfidues për Qeverinë”, tha ai.