Për shkak të reshjeve të mëdha që kanë përfshirë vendin, gjatë ditës së martës Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK) ka paralajmëruar se mund të ketë vërshime.
Mirëpo sipas Bashkim Kastratit, hidrolog në IHK, në një intervistë për Ekonomia Online tha se nuk ka arsye për panik, sepse sipas tij, prej vitit të kaluar Kosova ka trashëguar një deficit të reshjeve.
Ai ka thënë se reshjet janë të mirëseardhura përkundër në disa zona apo vendbanime rurale.
“Nuk ka arsye për panik, sepse duke pasur parasysh se qysh prej vitit të kalum ne kemi trashëguar një deficit të reshjeve në territorin e Kosovës ku i kemi rezervat siç janë Badovci dhe Batllava kanë qenë veç se të zbrazura apo në ato limitet e tyre ujore dhe kjo sasi e reshjeve është shumë e mirëseardhur përkundër në disa zona apo vendbanime rurale”.
“…duke filluar prej orëve të hershme të mëngjesit të datës 23 qershor në vendin tonë kanë filluar reshjet intensive të shiut fillimisht në pjesën veriore dhe pastaj në pjesë verilindore të cilat deri pas mesditës të ditës së sotme kanë pasur intensitet të shtuar të cilat normalisht për shkak të intensitetit të lartë të tyre në disa zona kanë krijuar potencial apo mundësi edhe për paraqitje të vërshimeve të shpejta siç i quajmë ne”.
Ai tha se zonat më të rrezikuara kanë qenë pjesa veriore dhe verilindore e Kosovës, në disa segmente të lumit Llap dhe të Ibrit.
“Zonat e përfshira në vërshimet e shpejta janë paralajmëruar se mund të ketë në pjesën Veriore dhe Verilindore të Kosovës kryesisht në pjesë burimore apo në disa segmente të rrjedhës të lumit Llap dhe të Ibrit”.
“Nuk ka mundësi të tjera të paraqitjes të përmbytjeve përveç intensitetit apo sasisë së madhe së reshjeve të cilat për një interval të shkurtë kohor ka ra sasia e madhe e reshjeve, dhe kështu që ne në vazhdimësi e bëjmë monitorimin e rrjetit monitorues hidrologjik stacioneve tona ku i kemi të shpërndara nëpër tërë pellgjet e Kosovës”, ka thënë ai për EO.
“Në bazë të informatave që i kemi mbledh apo i kemi marr në kohë reale prej disa stacioneve por edhe në disa tjerave i kemi marr prej disa bashkëpunëtorëve tonë, p.sh në Prishtinë vetëm sot deri në orën 07:00 kanë ra 22 milimetra dhe pas orës shtatë kanë ra edhe 24 milimetra që në total janë rreth 50 milimetra që në kushtet e vendit tonë paraqesin potencial për vërshime të shpejta”.
Kastrati mes tjerash ka thënë se reshjet me intensitet të lartë dhe me kohëzgjatje të tyre mund të paraqesin problem edhe vështirësi në segmente apo sektorë të ndryshëm të veprimtarisë ekonomike, raporton EO.
“Normalisht që reshjet me intensitet të lartë dhe me kohëzgjatje të tyre mund të paraqesin problem edhe vështirësi në segmente apo sektorë të ndryshëm veprimtarisë ekonomike, por nëse i referohemi kushteve atmosferike që kanë dominuar gjatë këtyre ditëve apo edhe gjatë këtij muaji sot ka qenë ai kolmunacioni i sasisë së rënieve të reshjeve për një interval më të shkurtë kohor”.
“…por fatmirësisht kjo sasi e reshjeve ka përfshirë një pjesë të territorit të Kosovës, pjesën veriore dhe atë verilindore dhe tani po e përcjellim situatën dhe qarkullimin të këtij fronti ajror dhe ky tani është duke lëvizur kah pjesa lindore gjegjësisht kah pjesa juglindore”.