Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka thënë një ciklon që ka ardhur nga jugu i Italisë dhe rajoni i Detit Jon ka sjellë reshje intensive në disa zona, kryesisht me lartësi mesatare dhe një rënie të ndjeshme të temperaturave në të gjithë vendin.
Në njoftimin e këtij instituti thuhet se kjo situatë meteorologjike pritet të vijojë me reshje të reja bore, kryesisht ditën e hënë.
Për shkak se ngricat tashmë janë prezente në të gjitha zonat, siç thuhet në njoftimin e IHMK-së, duke e bërë qarkullimin më të vështirë, ky institut ka apelur për kujdes nga drejtuesit e automjeteve, këmbësorët dhe të moshuarit.
“Rekomandohet kujdes i shtuar për drejtuesit e automjeteve, të cilët duhet të jenë të pajisur me mjete dimërore dhe të shmangin udhëtimet e panevojshme”.
“Gjithashtu, këmbësorët dhe personat e moshuar këshillohen të tregojnë kujdes maksimal për të shmangur rrëshqitjet dhe incidentet në rrugë”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.