Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) mirëkupton dhe promovon kërkesën e vazhdueshme të qytetarëve dhe publikut për të pasur institucione të pavarura, me integritet, kredibilitet dhe çka është më e rëndësishmja, institucione të pavarura që marrin besimin e publikut lidhur me procese të rëndësishme për publikun.
IKD ri-kujton publikun, partitë politike dhe liderët institucional se Gjykata Kushtetuese është autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës dhe të përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën.
Në këtë drejtim me qëllim të ruajtjes dhe promovimit të stabilitetit politik dhe institucional, IKD iu bën thirrje të gjitha palëve ta respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të shpallur dje rreth çështjes së ngritur nga Lëvizja Vetëvendosje për kontestimin e Dekretit të Presidentit për çështjen e caktimit të mandatarit për formimin e qeverisë së re.
Pavarësisht, kritikave që palët mund të kenë në lidhje me përmbajtjen e këtij aktgjykimi, ato detyrohen ta zbatojnë në përpikëri, duke ndjekur dhe zbatuar të gjitha dispozitat dhe parimet e sqaruara në aktgjykim që ndërlidhen me formimin e qeverisë.
IKD ju bën thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga gjuha dhe veprimet jodemokratike dhe që të sigurojnë zbatimin e plotë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, në procesin e krijimit të Qeverisë së re.
IKD gjithashtu përkrahë të drejtat e garantuara në Kushtetutën e Rebublikës së Kosovës për të shprehur pakënaqësitë përmes mjeteve demokratike paqësore.