IKD: Ministrat e Kurtit injorojnë Kuvendin dhe shkelin Rregulloren, Gërvalla më e padisiplinuara

Prishtinë | 30 Kor 2023 | 10:13 | Nga Ekonomia Online

Funksionimi i mirëfilltë i Kuvendit të Kosovës si një nga institucionet kyçe në vend vazhdon të jetë jashtëzakonisht i dobët.

Sfidat dhe problemet që dalin në dritë përmes raportit të fundit të Institutit të Kosovës për Drejtësi janë shqetësuese. Çka thuhet në gjetjet e IKD-së për punën e Kuvendit?

Ministrat e Qeverisë kanë vazhduar të injorojnë Kuvendin gjatë parashtrimit të pyetjeve parlamentare. Në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, ata kanë munguar gjatë parashtrimit të pyetjeve parlamentare.

Këtu prijnë Zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla-Schwarz, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Madje, sipas Institutit, edhe kryetari i Kuvendit ka vazhduar të mos e zbatojë Rregulloren e Kuvendit në drejtim të dhënies së vërejtjeve për anëtarët e Qeverisë dhe kryeministrit kur mungojnë dhe nuk e njoftojnë kryetarin për mungesa gjatë parashtrimit të pyetjeve nga deputetët.

IKD ka theksuar si problem edhe mos-prezencën e deputetëve në sallë të Kuvendit për të parashtruar pyetjet.

Në lidhje me aktivitetin legjislativ, puna e Kuvendit është përcjellë me jo-efikasitet. Në secilën seancë plenare, raporti i IKD-së thekson projektligjet janë bartur nga një seancë në tjetrën për shkak të mungesës së kuorumit.

Në sesionin pranveror të Kuvendit, një fakt shqetësues ka dalë në pah: më shumë se 70 për qind e projektligjeve janë shtyrë dhe bartur nga një seancë në tjetrën. Ky ndërprerje e vazhdueshme ka shkaktuar vonesa të konsiderueshme në procesin e miratimit të ligjeve, duke krijuar një klimë të paqëndrueshme për punën legjislative.

Në lidhje me transparencën e punës në Kuvend, mbledhjet e komisioneve parlamentare vazhdojnë të mos transmetohen drejtpërdrejt nga Kuvendi. IKD-ja ka rikujtuar faktin që Kuvendi ende nuk ka implementuar votimin elektronik, duke e pamundësuar qytetarët të informohen mbi mënyrën se si kanë votuar deputetët.

Sipas gjetjeve të IKD-së, puna në seancat parlamentare ka karakterizuar edhe gjuhën joparlamentare që përdoret nga anëtarët e Qeverisë dhe deputetët e Kuvendit, duke krijuar diskutime të polarizuara ndërmjet deputetëve dhe grupeve parlamentare, si dhe ndërmjet deputetëve dhe kabinetit qeveritar.

Raporti tregon se në disa raste, anëtarët e qeverisë kanë përdorur gjuhë seksiste ndaj deputetëve dhe kanë shpërdoruar fjalë si “tradhtar, hipokrit, mashtrues, gënjeshtar, rrenc”, fjalë që nuk respektojnë standardet minimale të sjelljes parlamentare.

Në këto situata, sipas IKD, miratimi i një Kodi të Sjelljes për deputetët e Kuvendit duhet të ishte në agjendën e Kuvendit si prioritet. Pavarësisht faktit që një kod i tillë parashihet edhe me Rregulloren e Kuvendit të Kosovës, ende nuk është miratuar. Ky kod duhet të përshkruajë natyrën e përgjithshme dhe të veçantë të sjelljeve joparlamentare të deputetëve, thekson raporti.

Të ngjashme