IKD për emërimin e Irfan Lipovicës në pozitën e drejtorit: Shqetësuese dhe i papranueshëm

Prishtinë | 26 Mar 2025 | 14:35 | Nga Ekonomia Online

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka kritikuar ashpër vendimin e Qeverisë së Kosovës për emërimin e Irfan Lipovicës si drejtor të përgjithshëm të Drejtorisë së Akreditimit në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

IKD thekson se Lipovica është njëri nga të dyshuarit në rastin e njohur si “rezervat shtetërore”, një nga aferat më të mëdha të dyshuara për keqpërdorim të parasë publike, shkruan Ekonomia Online.

‘”Në lidhje me rastin e rezervave shtetërore, ku i dyshuar është edhe Lipovica, standardet e qeverisjes së mirë kërkojnë bashkëpunim të Ministrisë me institucionet e sistemit të drejtësisë. E përballë dyshimeve për korrupsion lidhur me rezervat shtetërore, ministrja e MINT, Rozeta Hajdari, nuk kishte bërë përpjekje për të bashkëpunuar me institucionet e sistemit të drejtësisë në drejtim të zbardhjes së rastit. Përkundrazi, pa asnjë bazë ligjore akuzoi Policinë për mënyrën e marrjes së provave. Sulmet kundër sistemit të drejtësisë për këtë rast vazhduan edhe nga Kryeministri, tash në detyrë, Albin Kurti”, thuhet në njoftim.

IKD vlerëson se ky vendim dëmton parimet e qeverisjes së mirë dhe dërgon një mesazh të gabuar për publikun, duke minuar besimin në institucionet shtetërore.

“Pa pritur verdiktin e organeve të sistemit të drejtësisë, ministrja Hajdari konstatoi qëndrimin e saj mbi pafajësinë e Lipovicës. Përpos mbrojtjes, Lipovica tani edhe u promovua, duke u përzgjedhur në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Drejtorisë së Akreditimit në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. IKD konsideron se ky vendim përbën shkelje të parimeve të qeverisjes së mirë dhe dërgon mesazh të gabuar për publikun, duke cenuar besimin në institucionet shtetërore dhe duke dëmtuar seriozisht standardet e qeverisjes së mirë dhe integritetit në shërbimin civil. Promovimi i Lipovicës vie pas shkarkimit të zyrtarit i cili kishte sinjalizuar keqpërdorimet në lidhje me rezervat shtetërore. Kjo situatë dërgon mesazhin e promovimit të personave të dyshuar për përfshirje në aferën e “rezervave shtetërore” dhe hakmarrjes së personave që kanë sinjalizuar për këtë rast”, thuhet tutje.

IKD kërkon që Qeveria e Kosovës të rishqyrtojë këtë emërim dhe të vendosë standarde të qarta për emërimet e larta, duke respektuar parimet e qeverisjes së mirë.

“Me qëllim të respektimit të parimeve të qeverisjes së mirë, IKD kërkon nga Qeveria e Kosovës që të rishqyrtojë menjëherë këtë vendim dhe të vendosë standarde të qarta dhe të pakompromis për emërimet e larta, në mënyrë që këto emërime të reflektojnë parimet e qeverisjes së mirë dhe të ruajnë besimin e publikut në institucionet publike”, thuhet në kumtesë.

Të ngjashme