IKD: Qeveria për gjashtë muaj miratoi vetëm 15% të projektligjeve të planifikuara

Prishtinë | 02 Kor 2024 | 08:49 | Nga Ekonomia Online

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë se Qeveria e Kosovës ka miratuar vetëm 8 nga 52 projektligjet e planifikuara për miratim në gjysmën e parë të vitit 2024. Në përqindje, i bie që Qeveria ka miratuar vetëm 15 për qind të agjendës legjislative të planifikuar për këtë periudhë.

Në kuadër të monitorimit të zbatimit të programit legjislativ brenda programit “Qeverisja e Mirë”, IKD-ja ka thënë se ka identifikuar mangësi thelbësore në qasjen e Qeverisë së Kosovës ndaj planifikimit legjislativ.

“Për të tretin vit radhazi, Qeveria dështoi të miratojë programin legjislativ në fillim të janarit, duke e miratuar më një muaj vonesë. Kjo vonesë ka cenuar procesin e planifikimit dhe ka krijuar pasiguri për publikun, organizatat e shoqërisë civile, qytetarët dhe institucionet përkatëse. Pas miratimit të vonuar, programi legjislativ shpesh është ndryshuar, duke treguar mungesën e një strategjie të qartë dhe të qëndrueshme. Programi për këtë vit iu nënshtrua ndryshimeve në shkurt”, thuhet në një njoftim të IKD-së të martën, më 2 korrik.

Tjetër çështje shqetësuese, sipas IKD-së, është mospërfshirja në programin legjislativ projektligjeve që rrjedhin nga aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, Planit Kombëtar për Zhvillim dhe Programit Qeverisës 2021-2025. IKD-ja ka vlerësuar se mospërfshirja e tyre reflekton mungesë përkushtimi ndaj reformave strukturore dhe prioriteteve të Qeverisë.

“Kjo mangësi e përsëritur tregon paaftësi në zbatimin e politikave publike, duke vënë në pikëpyetje efektivitetin e qeverisjes dhe aftësinë për të adresuar nevojat e qytetarëve. Për më tepër, kjo neglizhencë mund të shkelë standardet demokratike dhe të zbehë besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore”, thuhet në vlerësimin që IKD-ja ka bërë për punën e Qeverisë në 6 muajt e parë sivjet.

“Sipas programit legjislativ, Qeveria planifikoi miratimin e 52 projektligjeve deri në qershor, por nga 52, ajo miratoi vetëm 8, ose 15% të projektligjeve të planifikuara. Gjatë kësaj periudhe, Qeveria miratoi edhe 10 marrëveshje ndërkombëtare që nuk ishin planifikuar për miratim në programin legjislativ. Nga ana tjetër, Qeveria tregoi shpejtësi në miratimin e dy projektligjeve: njëri i planifikuar për shtator dhe miratuar në qershor (Projektligji për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore) dhe tjetri planifikuar për dhjetor dhe miratuar në prill 2024 (Projektligji për Provimin e Maturës Shtetërore). Në bazë të rezultateve të lartcekura, efikasiteti i Qeverisë në realizim të agjendës legjislative për gjashtëmujorin e parë do të arrinte vetëm 32%”, thuhet në raport.

IKD-ja ka thënë se janë disa ministri që nuk i kanë miratuar ligjet sipas afateve të planifikuara në programin legjislativ: Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Ministritë që kanë miratuar projektligjet sipas planifikimeve janë Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve me tre projektligje, Ministria e Drejtësisë me dy projektligje, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike me dy projektligje, dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me një projektligj.

Sipas IKD-së, në kuadër të zotimeve në Programin Qeverisës 2021-2025, Qeveria Kurti ka dështuar t’i përcjellë premtimet kyçe me miratim të projektligjeve, e se kur i ka miratuar ato kanë qenë në kundërshtim me Kushtetutën, dhe se disa ligje i ka proceduar vetëm pas detyrimit nga Gjykata Kushtetuese.

Kjo organizatë ka vlerësuar po ashtu se ftesa e kryeministrit drejtuar partive politike parlamentare për zbatimin e programit legjislativ “ka qenë e pasinqertë, pasi që Kryeministri Kurti për tre vitet e kaluara ka pasur qasje përjashtuese e shpeshherë ofenduese ndaj opozitës. Duke shtuar faktin këtu se një ftesë e tillë erdhi gati se krejt në fund të legjislaturës së VIII-të”.

IKD-ja ka thënë se gjatë vitit 2023 dhe 2024 kryeministri nuk u është përgjigjur pyetjeve parlamentare duke e cilësuar këtë si ndërtim të “praktikës së dëmshme të përjashtimit dhe shmangies nga kontrolli parlamentar”.

IKD-ja ka thënë se në shtatë ligje të miratuara, vetëm në një rast Qeveria nuk e ka respektuar obligimin e konsultimeve publike. Ajo nuk zbatoi këto kërkesa pikërisht me rastin e procedimit dhe miratimit të Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publik, pas rrëzimit pjesërisht të disa neneve dhe kërkesës së GjK-së për t’i ndryshuar ato.

Organizata e ka kritikuar pushtetin për mosmiratimin e Projektit të Kodit Civil brenda planifikimeve.
Sipas IKD-së, Qeveria në kundërshtim me standardet e parlamenteve demokratika ka riproceduar Projektligjin e marrëveshjes me Danimarkën për burgjet, katër ditë pas dështimit për votim në Kuvend.

IKD-ja gjetur se Qeveria e Kosovës është vonuar në zbatimin e aktgjykimeve të Kushtetueses, duke nisur nga Ligji për Zyrtarët Publikë, që sipas IKD-së, në procedurë parlamentare ende përmban dispozita që s’janë në përputhje me kërkesat e Gjykatës, si dhe se nuk janë nisur ende ndryshimet e plotësimet në Ligjin për Paga në sektorin publik.

Në një rast tjetër, Qeveria e Kosovës vendosi që të shfuqizojë Rregulloren për Standardet Minimale të Konsultimeve Publike dhe ta bashkojë atë me një rregullore, atë për punën e Qeverisë. IKD, gjen në këtë rregullore se Qeveria ka zvogëluar afatin e konsultimeve për akte veçanërisht komplekse ose të rëndësishme, nga 60 ditë sa ishte në rregulloren e shfuqizuar, tani në rregulloren e re deri në 30 ditë kalendarike. “Zvogëlimi i afatit për konsultime publike të ligjeve nga 60 në 30 ditë mund të interpretohet si përpjekje për përshpejtimin e procesit legjislativ dhe rritjen e efikasitetit administrativ. Megjithatë, kjo mund të kufizojë pjesëmarrjen publike, të ulë transparencën dhe të reduktojë kohën për debat dhe komente të detajuara nga qytetarët dhe grupet e interesit”, thuhet në raport.

Të ngjashme