IKD thotë se Murati s’po vepron për zgjidhjen e problemit të pensionistëve, e lajmëron për pasojat

Prishtinë | 29 Shk 2024 | 14:47 | Nga Ekonomia Online

Përkundër kërkesës nga IKD, Ministri Hekuran Murati ende nuk ndërmerr veprime për zgjidhjen e problemit të pensionistëve

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) i ka kërkuar ministrit të Financave, Hekuran Murati, që të ushtrojë kompetencat dhe përgjegjësitë e tij si ministër për kthimin e ligjshmërisë dhe zbatimin e drejtë të ligjit në raport me pensionistët e Kosovës, të cilët janë edhe përfitues sipas Ligjit për statusin dhe të drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të UÇK-së, Viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, Viktimave civile dhe Familjarëve të tyre.

IKD i ka kërkuar që këtë ministri ta bëjë përmes nxjerrjes së një akti juridik, përmes së cilit obligon Departamentet e Pensioneve të bëjnë zbatimin e duhur të ligjeve të Republikës së Kosovës, gjegjësisht të shmangin interpretimin e gabuar që po i bëhet legjislacionit aktual.

Kësisoj, të gjithë qytetarët të cilët e kanë arritur moshën e pensionimit dhe që po ashtu kanë plotësuar kriteret për përfitimin e beneficioneve nga ligji për kategoritë e dala nga lufta, do të realizonin të drejtat e tyre në dy skema pensionale njëkohësisht – atë të moshës, si dhe atë që rrjedh nga Ligji për statusin dhe të drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të UÇK-së, Viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, Viktimave civile dhe Familjarëve të tyre.

IKD i është adresuar edhe me një letër Muratit dhe ka thënë se kjo ka ardhur pasi Instituti ka analizuar situatën e pensionistëve, të cilëve përkundër punës disavjeçare dhe arritjes së moshës së pensionimit, “është duke iu mohuar e drejta në pensionit bazik, si rezultat i keqkuptimit dhe keqinterpretimit të ligjit nga ana e Departamenteve të Pensioneve të MFPT-së”.

“Sipas ligjit dhe vendimeve të gjykatave të rregullta, përfshirë vendimeve të Gjykatës Supreme të Kosovës, vendime këto të formës së prerë, secilit qytetar të Republikës së Kosovës, i njihet e drejta për pension bazik dhe për ata që kanë plotësuar kriteret për përfitimin e të drejtave dhe beneficioneve të përcaktuara me Ligjin për statusin dhe të drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të UÇK-së, Viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, Viktimave civile dhe Familjarëve të tyre, u takon të jenë përfitues edhe nga ky ligj”, ka sqaruar IKD në një komunikatë për media.

Tutje IKD ka thënë se Departamentet e Pensioneve në MFPT po ua mohojnë këtë të drejtë që ligji ua njeh të gjithë qytetarëve dhe që lidhur me këtë çështje është ndërtuar edhe praktika gjyqësore. “Kjo po bëhet me arsyetimin se nuk u takon të marrin më shumë sesa një pension”.

IKD-ja ka thënë se Muratin e ka njoftuar se brenda dy muajve të fundit ka pranuar mbi 500 kërkesa nga qytetarët, si nga komuniteti shqiptar, ashtu edhe nga komunitetet joshumicë, prej të cilave deri më tani janë përgatitur rreth 200 padi.

Përveç kësaj, IKD-ja e ka njoftuar ministrin Murati po ashtu për pasojat e rasteve të iniciuara, ku për çdo padi të fituar në Gjykatë, Ministria përveç se do të jetë e obliguar të kompensojë pensionistët për të drejtat e tyre për periudhën në vijim, do të obligohet të paguajë edhe kompensimin në mënyrë retroaktive, shpenzimet procedurale lidhur me lëndët në fjalë, ku përfshihen avokatët për shërbimet e tyre, përfshirë këtu edhe shpenzimet gjyqësore.

Të ngjashme