IKD: Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit me shumë prokurorë të avancuar në mënyrë të kundërligjshme

Prishtinë | 13 Shk 2021 | 14:44 | Nga Ekonomia Online

 Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, të shtunën, ka mbajtur konferencë për media, në të cilën ka publikuar raportin “Ligjshmëria e avancimeve dhe përfitimeve në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit”.

Ky raport është rezultat i monitorimit që IKD i ka bërë punës së Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit gjatë viteve, analizës së kornizës ligjore të avancimeve që janë bërë në këtë Zyrë dhe të të ardhurave që prokurorët e kësaj Zyre kanë realizuar.

Hulumtuesi i lartë në IKD, Gzim Shala tha se Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit është niveli më i lartë prokurorial në Kosovë sipas ligjit, por që në bazë të praktikave që janë ndërtuar nga Kryeprokurori i Shtetit, kjo Zyrë është kthyer në një zyre të “pensionistëve”, por që këta “pensionistë” janë të ri në moshë dhe pa përvojë.

Siç tha Shala, prokurorë të caktuar në këtë Zyrë kanë ardhur në mënyrë të kundërligjshme, duke u ngritur nga niveli më i ulët i sistemit prokurorial në kreun e sistemit prokurorial. Sipas Shalës, këto avancime janë bërë në mënyrë të kundërligjshme përmes favorizimeve të Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Po ashtu, Shala tha se Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit asnjëherë nuk e ka pasur problemin me ngarkesë të madhe të lëndëve, mirëpo përkundër kësaj, numri i prokurorëve në këtë Zyrë ka shkuar duke u rritur.

Gjatë konferencës, Shala theksojë disa raste të avancimeve të kundërligjshme sikurse ai i prokurorit Kujtim Munishi i cili ishte ngritur në ZKPSh me vendim të kryeprokurorit Lumezi në mënyrë të kundërligjshme. Raste të ngjashme, Shala tha se kanë ndodhur edhe në rastin e prokurorit Agron Qalaj si dhe rasti i fundit, ai i ish-kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni.

Sipas Shalës, legjislacioni në fuqi lejon transferimin e prokurorëve të nivelit të njëjtë, ndërsa kalimin nga një prokurori e nivelit më të ulët në një prokurori të nivelit më të lartë, konsiderohet si avancim.

Kurse, hulumtuesi nga IKD, Lavdim Bajraktari tha se përkundër se në hierarkinë e sistemit prokurorial, Kryeprokurori i Shtetit mban pozitën më të lartë dhe si i tillë ka edhe përgjegjësinë për menaxhimin dhe përfaqësimin e Prokurorisë së Shtetit, nëse nisemi nga parimi “udhëheq sipas shembullit”, atëherë prokurorët e niveleve më të ulëta nuk është që kanë ndonjë arsye për të ndjekur shembullin e vendosur nga Kryeprokurori i Shtetit.

Sipas Bajraktarit, përveç pagave bazë që prokurorët i realizojnë gjatë vitit, të njëjtit kanë vazhduar të marrin edhe mijëra euro të tjera në emër të shtesave, përkundër se sipas ligjit, zyrtarëve të lartë u ndalohen shpërblimet e tilla me përjashtim të kompensimeve të udhëtimit.

Me këtë rast, Bajraktari potencojë rastin e prokurorit Besim Kelmendi i cili ka deklaruar të ardhura nga aktivitete tjera të lejuara me ligj, në lartësi prej 50% të pagës bazë, përkundër se sipas Ligjit për Prokurorin e Shtetit, të ardhurat nga këto aktivitete nuk duhet të tejkalojnë lartësinë prej 25% të pagës bazë.

Bazuar në gjetjet e raportit të prezantuar, Bajraktari tha se si IKD kanë dal më rekomandim për kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale që të inicioj hetim penal kundër Kryeprokurorit të Shtetit, z. Aleksandër Lumezi dhe prokurorit z. Bahri Hyseni për konflikt të interesit me rastin e avancimit të këtij të fundit në ZKPSh. Gjithashtu, Bajraktari tha se i kanë rekomanduar KPK-së që mos të vazhdojë transferimin e kundërligjshëm të prokurorit Bahri Hyseni në ZKPSh ndërsa kësaj të fundit i kanë rekomanduar që të ndalojë praktikën e kundërligjshme të avancimeve në emër të transferimeve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme