Ikja e të rinjve, inflacioni e pagat e ulëta janë disa nga kritikat që qytetarët e intervistuar nga Ekonomia Online i kanë drejtuar Qeverisë Kurti. Gjendjen në Kosovë, disa e ndërlidhin me dialogun me Serbinë, teksa thonë se me arritjen e marrëveshjes përfundimtare, rezultatet për Kosovën do të jenë të shumta.
Sipas Hysni Thaçit, gjërat që janë blerë me 50 euro para dy-tri vitesh, të njëjtat tani nuk mund t’i blejë me 100 euro.
“Ka gjëra nuk janë të mira por ka mundësi dhe hapësirë që të bëhen edhe më mirë. Sidomos ikja e të rinjve, pagat e ulëta, kështu që në këto çështje është e nevojshme dhe e domosdoshme të reflektohet dhe të merret përbazë edhe inflacioni që është enormë dhe secili prej neve, që nëse më herët kemi blerë me 50 euro, tani me 100 nuk na dalin”, u shpreh Hysni Thaçi
Ndërsa Musa Prelvukaj, konsideron që me arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, rezultatet për Kosovën do të jenë të shumta. Ai përmend anëtarësimin në organizata të ndryshme, si mundësi pas përfundimit të dialogut.
“Ka rezultate por orientimet janë të ndryshme të Qeverive, dikush është nga ana ekonomike e dikush nga rregullimi i brendshëm shtetëror. Unë po e shoh se përqendrimi i Kurtit është në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Tash nëse këtu do të kemi rezultate, do të hapen edhe disa rrugë tjera të reja për anëtarësimin e Kosovës në OKB, pastaj edhe në organizatat tjera që ku ende nuk jemi anëtarë”, tha ai.
Ndërsa për inflacionin e lartë në Kosovë, Prelvukaj ka një arsyetim.
“Inflacioni nuk është karakteristik vetëm tek ne, sa po kontaktoj nëpër vendet tjera, është por ndoshta nuk është i dukshëm sikur tek ne, edhe po besoj se janë ministrat që e bëjnë punën brenda Kosovës, qoftë në ekonomi por edhe në sektorë të ndryshëm”, tha tutje ai.
Ndërsa dikush tjetër po kërkon nga Kurti që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të mos ketë kompetenca.
“Nëse Asociacioni merr kompetenca ekzekutive, atëherë nuk jam i kënaqur aspak dhe nuk duhet Kosova ta nënshkruajë”, tha ky qytetar që nuk deshi të prezantohet.