Numri i të punësuarve pa kontrata dhe rrezikshmëria e lartë në punë, janë disa nga shkaqet kryesore pse sektori i ndërtimtarisë po përballet me mungesë të punëtorëve tash e sa kohë, raporton Ekonomia Online.
Nga Shoqata e Ndërtuesve e Kosovës presin që për një kohë të shkurtër të marrin punëtorë nga vendet tjera. Ndërsa nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat, fajin ua lënë kushteve të rënda me të cilat janë përballur punëtorët dhe mostrajtimi i duhur nga pronarët.
Kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve, Faton Hoxha, thotë se gjendja nuk është ende alarmante, por po shkohet atë drejtim pasi punëtorët po kanë oferta të shumta për punësim jashtë vendit.
“Kemi edhe migrim shumë, për shembull një numër i madh i atyre kanë shku në Kroaci në Slloveni, dhe tash në Gjermani. Po ofrohen kontrata prej firmave që janë në Gjermani, shumica janë firma shqiptare që janë nëpër Gjermani e në Evropë…”
“Se çka po i shtyn ata është mirë me i pyet ata, mirëpo sigurisht po pretendojnë që ka kushte më të mira atje. Edhe pse sipas asaj që e dimë ne, sipas kontakteve që i kemi, ata paguhen si punëtorë gjysmë të kualifikuar ose të pakualifikuar çfarë na i kemi këtu në mungesë të shkollave profesionale. Me pagesat që i marrin atje nuk munden me bë diçka më shumë sesa që bëjnë këtu me pagesat që bëhen këtu”
Hoxha tha se një numër i madh i punëtorëve të sektorit të ndërtimit po shkojnë jashtë shtetit se po iu ofrohen kontrata më të mira.
Hoxha tha se punëtorë të sektorit të ndërtimit nga vendet e rajonit ka por jo në masë të theksuar.
“Po prej rajonit, prej Shqipërisë sidomos pjesa e Lumës, Hasit ka vite që punojnë në Prizren, Gjakovë po edhe në Prishtinë por jo në masë të theksuar. Mundeni me marrë shifrat për shembull Kroacia po e marrim se ne mundemi me u krahasu vetëm me vende të rajonit jo më larg, Kroacia prej regjistrimit të popullsisë që e ka pas në vitin 2011 edhe të fundit 2021 ia kanë dikund 10 për qind më pak numrin e banorëve. Njëjtë edhe për 270 mijë vetë është më i vogël numri i banorëve në Slloveni që është më shumë se 10 për qind. Domethënë migrimi nuk është që veç te kosovarët që po migrojnë, prej të gjitha shteteve migrohet”, tha Hoxha.
“Njerëzit gjithmonë kërkojnë, gjithmonë ka pasur lëvizje e sidomos tash kur ka më shumë informata, më shumë ke mundësi me u qas, me kriju kontakt me dikën. Me teknologji të informacionit nuk ke nevojë me shku në Gjermani me gjet dikënd për punë e gjen nga këtu. Domethënë migrimi nuk ndalet asnjëherë”, u shpreh ai.
E në anën tjetër, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, tha për Ekonomia Online, se gjendja e punëtorëve në sektorin e ndërtimtarisë në Kosovë është në gjendje të rëndë. Ai thotë se 70 për qind e humbjes së jetëve të punëtorëve ndodh në këtë sektor.
“Ndër sektorët më të rënda gjendja që ka qenë dhe ende është se në sektorin e ndërtimit; që nga mungesa e kontratës së punës deri tek humbja e jetës së këtyre punëtorëve. Mund të themi se 70 për qind e humbjes së jetëve të punëtorit vijnë nga sektori i ndërtimtarisë dhe po flasim deri më sot sepse çka do të ndodh nesër nuk e dimë. Është një sektor ku punëtoret kanë punuar jashtë orarit të punës, kanë punuar pa kushte adekuate të punës. Po flas për një pjesë sepse një pjesë ndoshta edhe kanë qenë në kushte normale po sektori i ndërtimtarisë është sektori i cili punon gjatë verës e në moment kur nuk mund të punojnë në këtë sektor, faktikisht gjithçka përfundon aty”, u shpreh Azemi.
“Pjesa dërmuese e punëtorëve pa kontrata pune vijnë nga sektori i ndërtimtarisë dhe sektori i ndërtimtarisë është sektor për të cilën është punë më e rëndë pasi që ne kemi pak mekanizma bashkohorë. Punëtorët janë të obliguar shpeshherë që ta bartin materialin nga kati i parë në kate më të larta dhe çka është më e rënda, këta punojnë në një lartësi bukur të madhe, pa masa dhe mjete mbrojtëse, çka shpesh here kemi përfunduar edhe me fatalitet”, thotë Azemi për EO.
Sipas tij, ka mungesë të punëtorëve pasi pronarët e kompanive nuk i kanë trajtuar ata si duhet.
“Po kemi mungesë të këtyre kryesisht punëtorëve të profesioneve të caktuara. Pse e kemi këtë mungesë e kemi pasi që pronarët e kompanive nuk i kanë trajtuar ashtu siç duhet e sa duhet punëtorët e këtij sektori. Tani deshëm apo nuk deshëm e pranojnë apo nuk e pranojnë, pronarët e kompanive megjithëse ata e dinë më së miri që ka mungesë të të gjitha profileve dhe faktikisht punëtorët me profesionet të caktuara nuk janë ata të cilët kanë qenë para një viti. Po ndihet mungesë shumë e madhe e këtyre profileve”, tha Azemi.