Ikja e të rinjve dhe të rejave nga Kosova, nuk mund të adresohet vetëm me reagime sporadike në mediat sociale, si po vepron opozita. Apo të shndërrohet në një temë për bjerrje e kohës me copy paste të huazuar nga mediat.
Sepse, detyra e saj nuk është ripërsëritja e asaj që e kanë thënë me qindra herë të tjerët. Pra e një imitimi të lodhët dhe pa kreativitet. Por, e prezantimit të planeve dhe strategjive se si të kurohet kjo hemorragji kombëtare. E prezantimit të alternativave të saj.
Bie fjala, ne sot do të duhej të dëgjonim për masat urgjente që ka për obligim t’i marr qeveria në mënyrë që të luftohet kjo dukuri. Këto masa mbase do të dilnin si rezultat i një konference të organizuar me ekspertë të fushave nën drejtimin e opozitës. Vetëm në këtë mënyrë ajo të dëshmonte se ka projekte konkrete se si do ta adresonte politikisht dhe ekonomikisht këtë fenomen.
Apo për ta bërë sa më të besueshëm reagimin e saj, ndonjëri nga protagonistët e opozitës do të duhet të ishte tash në mesin e njerëzve që janë duke pritur para ambasadave. Duke komunikuar me ta. Duke e dëgjuar nga afër zemërimin dhe zhgënjimin e tyre.
Përndryshe kjo qasje e reagimit sa për thënë që reagova, nuk i bënë nder as asaj as askujt. Madje shndërrohet edhe më shumë në burim të zhgënjimit, dëshpërimit dhe mungesë të shpresës. Ngase, qytetarët e shohin se jo vetëm pushteti, por as opozita nuk ka asnjë plan për të ardhmen e tyre.
E fakti pse edhe ajo nuk po mund të shndërrohet në shpresë për këtë kategori të shoqërisë, mbase është problemi me i madh i saj. Sepse, sikur të behej e tillë njerëzit, nuk do iknin, por do të qëndronin për t’u mobilizuar rreth kauzave të saja politike e kundër pushtetit. Nëse e ka ndonjë të tillë, pos reagimeve të përcipta ne mediat sociale.