Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ditëve me temperatura të larta, duke publikuar një sërë rekomandimesh për mbrojtjen e shëndetit.
Sipas IKSHPK-së, qytetarët këshillohen të pinë ujë shpesh, të shmangin pijet me sheqer dhe alkool, të qëndrojnë në hije dhe të kufizojnë daljet në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës, nga ora 11:00 deri në 17:00. Gjithashtu, rekomandohet veshja e rrobave të lehta dhe me ngjyra të hapura, të cilat ndihmojnë trupin të freskohet.
Instituti u bën thirrje qytetarëve që të kenë kujdes të veçantë për të moshuarit, pasi ata janë më të ndjeshëm ndaj vapës, ndërsa rikujton se fëmijët nuk duhet të lihen në automjete, qoftë edhe për pak minuta, pasi temperatura brenda makinës rritet shumë shpejt dhe mund të paraqesë rrezik serioz për jetën.
Po ashtu, IKSHPK rekomandon hidratim të rregullt, përdorimin e kremit kundër rrezeve të diellit, mbrojtjen e syve dhe kokës, si dhe kujdes ndaj simptomave të goditjes nga nxehtësia, si lodhja, marramendja dhe dhimbja e kokës. Në rast të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, qytetarët duhet të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore.