Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka sqaruar rastin e një 19-vjeçareje nga Mitrovica që të hënën vdiq e që u përfshi në listën e vdekjeve nga COVID-19. 19-vjeçarja N.Sh. vdiq në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ku u dërgua nga Spitali i Mitrovicës pas përkeqësimit të gjendjes. Ajo në Mitrovicë po trajtohej për një problem tjetër shëndetësor.
Familja e saj e vuri në dyshim raportimin e IKSHPK-së dhe u deklarua se të premten do të flasë për rastin.
Në një sqarim të së martës, IKSHPK-ja ka thënë se pacientja N.Sh. dy herë kishte rezultuar pozitive në testin për COVID-19.
“Laboratorët e IKSHPK-së njoftojnë se mostra e pacientes N.Sh. (2001) nga Mitrovica fillimisht është dërguar në IKSHPK Prishtinë më datën 2 janar 2021 me kërkesën e Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, përmes Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik në Mitrovicë. Pas testimit me Real Time PCR mostra ka rezultuar pozitive në SARS-CoV-2 dhe pasditen e 2 janarit 2021 rezultati i është përcjellë QRSHP në Mitrovicë dhe më pastaj autoriteteve në Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë. Një mostër tjetër e pacientës N.Sh. (2001), Mitrovicë, është dërguar në IKSHPK e referuar nga Mjekimi Intensiv Qendror, QKUK, Prishtinë me datën 3 janar 2021 dhe e njëjta ka rezultuar pozitive në SARS-CoV-2”, thuhet në sqarimin e IKSHPK-së.
Ky institut më tej ka thënë se mostrat e pacientes janë testuar sipas protokolleve të punës dhe se IKSHPK-ja nuk është institucion për përcaktimin e shkaqeve të vdekjeve të qytetarëve.