Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës bën të qartë se në verë, për shkak të temperaturave të larta, rritet rreziku i helmimeve ushqimore.
Sipas këtij instituti, kujdesi gjatë përgatitjes dhe ruajtjes së ushqimit është shumë i rëndësishëm për të shmangur sëmundjet.
Postimi:
🌞 Siguria ushqimore gjatë verës
Mbrojeni shëndetin tuaj dhe të familjes suaj! 👨👩👧👦
Siguria ushqimore u referohet të gjitha rreziqeve të cilat mund t’i shkaktojnë dëme ushqimit dhe përmes tij, shëndetit të popullatës.
Në verë ☀️, për shkak të temperaturave të larta 🌡️, rritet rreziku i helmimeve ushqimore. Mikroorganizmat 🦠 shumohen më shpejt dhe ushqimi prishet më lehtë. Prandaj, kujdesi gjatë përgatitjes 👩🍳 dhe ruajtjes së ushqimit është shumë i rëndësishëm për të shmangur sëmundjet.
Kontaminimi i ushqimeve mund të vijë nga: duart e papastërta, ushqimet, uji, kafshët shtëpiake, insektet etj.
❓ Si ndodhin helmimet nga ushqimi?
Helmimet shkaktohen nga konsumimi i ushqimeve të kontaminuara me:
- 🦠 Bakterie, viruse apo parazitë
- ☠️ Kimikate të dëmshme
- 🦴 Prania në ushqim e mbetjeve si kocka, metale apo fije floku
- 🚫 Mungesë higjiene gjatë përgatitjes apo ruajtjes së ushqimit
Për të gjitha helmimet ushqimore karakteristikë është paraqitja e shpejtë e simptomave: temperatura, dhimbje barku, të vjella dhe barkqitje.
🛡️ Si të mbroheni?
- 🍳 Gatuani mirë ushqimin: Posaçërisht mishin, vezët dhe qumështin – të gjitha pjesët duhet të arrijnë temperaturën 70°C.
- ⏰ Konsumoni ushqimin menjëherë pas përgatitjes: Sa më gjatë të qëndrojë, aq më i madh është rreziku i kontaminimit. Ushqimet për fëmijët nuk duhet të ruhen në përgjithësi, duhet të konsumohen sa më parë pas përgatitjes.
- Ruajeni ushqimin në mënyrë të sigurt: Në të nxehtë mbi 60°C, në frigorifer nën 5°C. Mishi i ngrirë dhe mishi i shpendëve duhet të shkrihen tërësisht përpara gatimit.
- ♨️ Ringroheni mirë ushqimin e ruajtur: Para konsumit, sigurohuni që ushqimi të arrijë përsëri 70°C.
- Shmangni kontaktin mes ushqimit të papërpunuar dhe atij të gatuar: Përdorni thika dhe dërrasa të ndara për secilin.
- 🧼 Lani duart shpesh dhe si duhet: Para dhe pas përgatitjes së ushqimit, pas tualetit, pas ndërrimit/pastrimit të foshnjave apo pas kontaktit me kafshë.
- Mbani pastër kuzhinën dhe enët: Pecetat dhe leckat ndërroni rregullisht dhe ziejini nëse kontaminohen.
- 🐜 Mbroni ushqimin nga insektet dhe brejtësit: Mbajeni ushqimin në enë të mbyllura me kapak.
- 💧 Përdorni ujë të pastër dhe të sigurt: Nëse dyshoni në cilësinë e ujit, vlojeni para përdorimit.
- 📆 Kontrolloni datat e skadimit dhe freskinë: Shmangni produktet me erë apo pamje të pazakontë.
- Kujdes me ushqimin jashtë shtëpisë: Përdorni frigoriferë dore ose enë termoizoluese në piknik apo udhëtime.
Vera e sigurt fillon nga kuzhina!
Respektoni rregullat e higjienës dhe sigurisë ushqimore për të kaluar një verë të shëndetshme e pa probleme ☀️.
Kujdesi juaj është mbrojtja më e mirë!