Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK), ka përsëritur thirrjen për vaksinimin e qytetarëve kundër coronavirusit.
IKSHPK thotë se vaksinimi është metoda më e mirë, më e lirë dhe me efikase në luftë kundër COVID-19, transmeton Telegrafi.
“Qytetarë të dashur! Ju lutemi vaksinohuni. Vaksinimi kundër COVID-19 shpëton jetë! Vaksinimi është metoda më e mirë, më e lirë dhe me efikase në luftë kundër COVID-19.Vaksinimi zgjon mbrojtjen natyrore të trupit tonë për të krijuar rezistencë ndaj infeksioneve specifike dhe e fuqizon sistemin imunitar. Vaksinimi parandalon vdekjet dhe komplikimet e rënda, të cilat kërkojnë shtrirjen e pacientit në spital”, thotë IKSHPK.
Tutje, IKSHPK thotë “vaksinohuni tash për të mos marrë masa rigoroze në vjeshtë”.
“Me vaksinim do ta kalojmë valën e re nga varianti Delta me sa më pak të sëmurë e sa më pak viktima. Asnjëra vaksinë që është në përdorim në Kosovë nuk përmban virus të gjallë që shkakton COVID-19. Kjo domethënë se nuk mund të sëmureni me COVID-19 nga vaksina. Kosova është i vetmi shtet në rajon që ka dhënë vetëm vaksina të miratuara nga Agjencia Evropiane dhe Amerikane e Barnave është Kosova. Këto vaksina janë Astra-Zeneca dhe Pfizer. Këto vaksina kanë sigurinë, cilësinë dhe efikasitetin, që e plotësojnë standardin evropian dhe atë amerikan.
Disa po ngurrojnë për t’u vaksinuar sepse frikësohen nga efektet anësore të cilat deri tani në Kosovë kanë qenë minimale por dobia e mbrojtes nga COVID-19 është shumë herë më e madhe. Nëse nuk vaksinohemi mund të rriten rastet e reja duke u përcjellë me shtim të hospitalizimeve, vdekjeve, mbingarkesë të sistemit shëndetësor, rikthim të kufizimeve, goditje të shëndetit mental, shkollës, ekonomisë, kulturë, artit e sportit”, vijon komunikata.
IKSHPK thotë se me vaksinë mbroni vetën, familjen, të afërmit, kombin dhe njerëzimin kundër COVID-19.