Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në mbledhjen e sotme të jashtëzakonshme të qeverisë njoftoi për përfitime shtesë për të gjithë të dëmtuarit nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit.
Kështu, qeveria ka vendosur që për të gjithë të prekurit nga tërmeti, detyra e parë do të jetë strehimi i tyre. Kryeministri kërkoi vendosjen në kontakt të menjëhershëm me ndërtuesit, për të sistemuar sa më shumë familje në apartamente të padëmtuara të mbetura në stok, pra apartamente të pashitura në komplekse të reja banimi, njofton ATSH.
Përveç strehimit dhe ushqimit falas, të gjithë të prekurve nga tërmeti do t’u garantohet marrja e mjekimeve për çdo sëmundje falas.
Gjithashtu në hotelet ku janë akomoduar të dëmtuarit, do të ketë mësues ndihmës shtesë, që do të asistojnë fëmijët në vazhdimin e shkollës.
Ndërkohë, të gjithë personave që do t’u duhet të shkojnë në punë, shteti do të paguajë karburantin për lëvizjet me makina.