Rreth 1 mijë pacientë do të testohen me Remdesivir. I cili është deri më tani ilaçi më premtues për Coronavirusin.
Medikamenti, i krijuar nga kompania Gilead Science në Kaliforni, po testohet fillimisht tek afro 400 pacientë me simptoma të rënda klinike të virusit COVID-19, të cilëve do t’u jepet një kurë pesë ose dhjetë ditore e këtij ilaçi.
Një tjetër grupim prej rreth 600 pacientësh me shfaqje klinike të moderuar të sëmundjes, do të ndahen në tre grupe. Një e treta e tyre do të marrë pesë ditë trajtim me ilaçin Remdesivir. Një e treta do të marrë 10 ditë trajtim. Pjesa tjetër do të vazhdojë të marrë vetëm kujdesin shëndetësor standard.
Kompania, ka nisur dy studime klinike në Wuhan, si dhe do të zhvillojë një testim tjetër deri në 50 vendndodhje të ndryshme në mbarë globin.
Ky raund i provave klinike do të zhvillohet kryesisht në vende aziatike si dhe në vende të tjera të globit që kanë një numër të lartë të rasteve të diagnostikuara.
Ilaci u përmend zyrtarisht dhe të enjten në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin amerikan Donald Trump, nga Dr. Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive në Institutin Kombëtar të Shëndetit.
“Ilaçi Remdesivir ka demonstruar “aktivitet anti-viral in vitro dhe në modelin e kafshëve”. Nëse funksionon atëherë do të kemi një terapi efektive për ta shpërndarë,” tha ai.