Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), me rastin e 7 marsit-Ditës së Mësuesit, i ka ndarë Ilmie Dumanin, çmimin tradicional “Shaban Jashari” për mësuesin më të mirë të vitit, raporton Ekonomia Online.
Ministri Shyqiri Bytyqi tha se mësuesit përpos në dije kanë kontribuuar edhe në luftën çlirimtare.
Sipas tij, mësimdhënësit duhet të vlerësohen sepse edukojnë brezat e rinj.
“Sot është ditë e shënuar, ditë e veçantë. Përveç një date historike, kjo festë u vlerësua dhe jo rastësisht qëlloi në epopenë e UÇK-së. Mësimdhënësit siç ditën të kontribuojnë për dije ditën të organizohen edhe për luftën çlirimtare. Ti përkujtojmë këto data. Duhet të vazhdojmë t’i çmojmë mësimdhënësit sepse ata i përgatisin të rijnë”.
“Neve si institucione na takon që minimumi të ju ftojmë për këtë festë. Të kemi takime më të shpeshta, kjo do të jetë shtytje për mësimdhënësit. Nëse baske angazhohemi do t’ia dalim të kemi një arsim ku të rinjtë tanë të përgatiten dhe të jetë konkretë”.
Mësuesja Dumani e cila punon në shkollën fillore “Dardania” në Prishtinë tha se ky çmim e motivon atë për të vazhduar edukimin e nxënësve.
Dumani është mësuese lëndore me përvojë pune 31-vjeçare.
Gjithashtu është bërë edhe ndarja e mirënjohjeve për mësuesit e përzgjedhur nga Drejtoritë Komunale e Arsimit, nga secila komunë.