Shpesh jam mëdyshur të shkruaj për një figurë që shfaqet rëndom në skenën tonë kulturore, politike dhe intelektuale. Është individi që ka fituar një diplomë akademike, sidomos jashtë vendit, dhe e përdor atë si dëshmi të pakontestueshme të mençurisë dhe kompetencës. Në bisedat shoqërore kjo figurë shpesh quhet “budallë me diplomë”, një etiketë popullore por befasueshmërisht e saktë.
Si mund të përfytyrohet një njeri i tillë. Nuk kam pretendim për një përkufizim të plotë, madje me riskun që edhe ky shkrim të klasifikohet si produkt i një budalle me letra, do përpiqem të ofroj një perspektivë personale për këtë kategori njerëzish që shpesh e ngatërrojnë zotërimin e diplomës me zotërimin e mendjes.
“Budalla pa shkollë” zakonisht është i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë. Padituria e tij është e kufizuar dhe rrallë del përtej hapësirës së jetës së tij. Ndryshe ndodh me llojin tjetër të budallës, atë me shkollë. Padituria e tij merr trajtë publike dhe përhapet në administratë, shkollë, universitet, institucione publike dhe politikë. Ajo vishet me rregullore, strategji dhe procedura. Ky budallë sillet sikur di dhe shoqëria priret ta besojë sepse ai mban tituj e grada. Kështu padituria e tij shndërrohet në vendimmarrje, në ligj dhe në normë shoqërore, pra institucionalizohet.
Kur një figurë e tillë fiton pushtet nuk prodhon më gabime njerëzore, por gabime të sanksionuara që marrin vulën e institucioneve dhe u imponohen të gjithëve. Ai u jep vendimeve të gabuara një pamje teknike ose shkencore dhe kështu krijohet një pseudo e vërtetë që qarkullon si standard. Umberto Eco thotë se “njeriu i pajisur me instrumente teknike është më i rrezikshëm se çdo armë.” Tek ne ky instrument është pikërisht diploma.
Zyrat tona janë të mbushura me dokumente që mbajnë gjurmët e këtij fenomeni. Strategji që nuk shpiejnë askund, reforma të cekëta, politika pa ndikim. Ato përbëjnë monumentet e “budallës me diplomë.”
Rreziku thellohet kur ky lloj budalle fillon të frikësohet nga mendjet e kthjellta. Kritikën e sheh si sulm personal; i mbyll hapësirat e debatit dhe ndërton gradualisht një kulturë autocensure. Nietzsche thoshte se “të vërtetat e mëdha lindin në pakicë”, por si mund të lindin në një mjedis ku pakicat detyrohen të heshtin.
Në thelb ky lloj budalle (që ka diplomë) nuk është i rrezikshëm për shkak të padijes, por për shkak të iluzionit të dijes. Diploma i krijon një nur të rremë që e bën të duket i ndriçuar edhe kur mendja e tij mbetet në terr. Shoqëria që ngatërron shkëlqimin e diplomës me dritën e mençurisë rrezikon të udhëhiqet nga njerëz që kanë më shumë vetëbesim sesa arsyetim. Bertrand Russell shprehej se bota vuan nga njerëzit tepër të sigurt në vete.
Kjo mbetet tragjedia jonë e heshtur. Një shoqëri që nuk dallon diplomën nga mençuria, autoritetin nga gjykimi dhe titullin nga mendimi bie në duart e figurës më të rrezikshme të kohës sonë, budallait të arsimuar.