Kur skulptori i madh, Odhise Paskali, po e punonte skulpturën e Skenderbeut, si bazë orientuese fillestare e kishte pikturën e heroit shqiptar të cilën e kishte punuar Gentile Bellini. Mendohet me të drejtë se piktura e Bellinit të famshëm është e vetmja pamje origjinale e Skenderbeut.
Por, në këtë pikturë Skenderbeu është plak dhe jo heroik sa duhet. Kjo ishte arsyeja që Paskali një ditë kishte dalur në shesh të Tiranës për ta gjetur një model tjetër. Dhe, e gjeti një malësor me pamje stoike – heroike, i cili shkoi çdo ditë në studio derisa skulptori i dha pamje veprës së tij, gjegjësisht Skenderbeut.
Por, një ditë në studion e Pakalit shkoi Lasgush Poradeci për ta parë veprën në fjalë. Pas një vrojtimi, Poradeci i thot Paskalit:’Jo, nuk është mjaft heroik’.
Odhise Paskali i dëgjoi këshillat e mikut të tij, Poradecit, dhe intervenoi edhe një herë. Më në fund, doli pamja e Skenderbeut që në fakt ishte imagjinatë e përbashkët e Paskalit dhe Poradecit. Pra, këta dy janë autorët e imazhit të Skenderbeut. Pamja, e cila në mënyrë artistike ishte e shkëlqyeshme, u zyrtarizua dhe njerëzit e akceptuan dhe u familjarizuan me të. Kjo u bë pamja e ‘vërtetë’ e Skenderbeut. Prandaj, përmendoret për Skenderbeun që sot dalin pa e respektuar këtë kallëp, na duken të çuditshme dhe të pa pranueshme.
Është normale që imazhi i përmendores të jetë i imagjinuar dhe këto raste në botë janë të shpeshta. Ta zëmë, përmendorja e John Harvard-it, sipas të cilit sot quhet universiteti i famshëm amerikan, është pamje e tjetërkujt. Para skulptorit ka pozuar një student, por kjo ka mbetur si pamja e ‘vërtetë’ e Harvard-it.
Megjithatë, çfarëdo pamje që ka pasur Skenderbeu, sot e pranueshme duhet të jetë vetëm ajo e Odhise Paskalit. Kjo pamje nuk duhet të pranohet vetëm për shkak të nivelit të lartë artistik por më shumë për shkak se heroi (cili do qoftë ai) nuk mund të ketë disa pamje. Pamjet e ndryshme paraqesin edhe personalitete të ndryshme dhe kjo gjë shkakton konfuzion. Nuk do të kishte kuptim që sot shqiptari të ndalej para një përmendoreje të Skenderbeut dhe të pyeste:’Kush është ky?’
Deri te vepra e Odhise Paskalit, ka pasur shumë portrete që kanë paraqitur imazhe të ndryshme të Skenderbeut. Por, Odhise Paskali, thjeshtë, e ka unifikuar pamjen e Skenderbeut me imazh përfundimtar.
Pamja e shtatores së Skenderbeut që u vendos dje në Prizren nuk e plotëson kushtin vizuel e as atë artistik. Prandaj, ka nxitur reagime deri në refuzim. Shtatorja e Adem Jasharit është edhe më problematike. Imazhin e Adem Jasharit e di secili. Prandaj, në këtë rast askush nuk e pranon ikjen nga pamja reale.