Imponimi i ekuilibrit të forcave në Bririn Juglindor të Evropës

Prishtinë | 07 Tet 2025 | 22:14 | Nga Albert Prenkaj

Në margjina të turbullirave të mëdha botërore, si: lufta në Krime, konflikti në Lindjen e Mesme, friksionet në Detin Kinez, u zhvillua samiti Brdo-Brijuni në Durrës dhe takimi i Presidentes me dy ministret belge në Prishtinë.

Po e përmendi këtu takimin ndërqeveritar Kosovë-Maqedoni e Veriut në nëntor të vitit 2024, takim ky në vazhdën e bashkëpunimit ndërshtetëror, si ai me Shqipërinë.

Do të kundrohej si bashkëpunim krejt normal rajonal po të mos kishim pozicionim të paqartë evropian të qeverisë Mickoski, e cila braktisi projektin evropian të Korridorit 8 që lidhë Adriatikun me Detin e Zi, e që kalon përmes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, për ta rikthyer vertikalen e Korridorit 10 që lidhë Maqedoninë e Veriut me Serbinë, si pjesë e projektit rus dhe kinez 1+17.

Me këto qëndrime, këto qeveri japin për të kuptuar se trajektoret e strategjisë së politikës së jashtme të tyre kanë tendencë të lëvizin nga kursi i tyre Euro-Atlantik, gjë që komplikon seriozisht situatën në këtë rajon të Evropës Juglindore.

Çdo rend ndërkombëtarë herët apo vonë ballafaqohet me ndikimin e tendencave që sfidojnë kohezionin: ridefinojnë legjitimitetit, apo ndryshimin e rëndësishëm të ekuilibrit. Në teori, balanca e fuqisë do të duhej të jetë e matshme, ndërsa në praktikë për të arritur pranimin e përbashkët të limiteve të njëri tjetrit, është treguar se është shumë vështirë të harmonizohen kalkulimet e një shteti me ato të shteteve tjera.

Sipas ish-Sekretarit të ShBA-së, Henry Kissinger, për të luajtur rol në ndërtimin e rendit botëror një vend duhet të jetë i përgjegjshëm në ofrimin e përgjigjeve në pyetjet: Çfarë pretendojmë të parandalojmë?; Çfarë dëshirojmë të arrijmë përmes minimumit të objektivave të strategjisë nacionale?; Çfarë duam të arrijmë apo parandalojmë përmes aleancave?; Çfarë nuk duhet të fusim në opsion?; Cila është natyra e vlerave të cilat kërkojmë t’i avancojmë?

Më 1904, gjeografi dhe politikani britanik, Sir. Halford Mackinder publikoi teorinë e Hartlandit, sipas së cilës ai i që kontrollon Evropën Lindore ka kontrollin mbi Hartlandin, e që gjithashtu përkrahë konceptin e dominimit të botës. Hartlandi është zonë e Azisë Qendrore, përfshirë këtu detet e larta dhe Euroazinë. Kjo teori është ndjekur gjatë Luftës së Dytë Botërore nga nacistët dhe më vonë është marrë në konsideratë nga Bashkimi Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë. Janë bërë hapa në drejtim të Hartlandit, por asnjëherë nuk është krijuar ndonjë avantazh. Teoria e cila e ka kundërshtuar teorinë e Mackinder është krijuar nga Nicholas Spymen më 1942. Sipas tij Rimlandi i Euroazisë është çelësi i kontrollit të ishullit botëror. Teoria e tij ka influencuar periudhën e Luftës së Ftohtë.

Në ndërtimin e rendit botëror paraqiten ndryshimet kardinale në mes qasjes perëndimore dhe jo-perëndimore. Qasja perëndimore bazohet në sistemin paqes Westfaliane duke gjykuar sipas realitetit të fuqisë dhe territorit; Konfucianizmi rregullon rendin botëror sipas hierarkisë që përafrohet me kulturën kineze; Islami rregullon rendin botëror në botën e paqes (Islami) dhe botën e luftës (bota jo islamike); Hinduizmi e percepton botën në cikël të përvojës transcendentale në një qark të mbyllur.

Në ndërtimin e rendit botëror Evropa Juglindore si udhëkryq i interesave gjeopolitike dhe traseve ekonomike, ishte dhe mbetet gjeografi me interes të veçantë. Në kontekstin bashkëkohor, ky bri i Mesdheut dhe deteve të tij të ndërthur, përpos lojtarëve tradicionalë të fundit të shekullit XIX (Konferenca e Berlinit 1878) dhe fillimit të shekullit XX (Konferenca e Parisit 1919 dhe Konferenca e Jaltës 1945) si dhe ata të Luftës së Ftohtë, protagonist nga gjiri Persik, madje edhe nga Lindja e Largët.

Në kontekstin e qasjes gjeopolitike të Rusisë post-sovjetike, kjo pjesë e Evropës Juglindore luan rol të rëndësishëm. Mbetja e Jugosllavisë post-komuniste, e në veçanti Serbia pas viteve 1990 pa dyshim mbetet partneri kryesor i saj. Moska vazhdon të kapitalizojë sentimentin e fuqishëm pro-rus në elitën intelektuale dhe politike serbe, duke përkrahur Beogradin në të gjitha çështjet e rëndësishme, posaçërisht kur është fjala për Kosovën. Kompanitë ruse nën kontrollin shtetëror dhe oligarkët e lidhur me Kremlinin janë shumë aktivë në këtë Gadishull, duke zgjeruar influencën ekonomike dhe politike në rajon dhe më gjerë.

Tekstet universitare të Moskës mbi gjeopolitikën potencojnë: “Nga këndvështrimi gjeopolitik është më e arsyeshme të përkrahet Serbia sepse kjo siguron prezencën në Ballkan dhe rolin thelbësor të Rusisë atje. Serbia e fortë vepron si kundërbalancë e influencës në rritje të Turqisë në Detin e Zi, në Bullgari dhe në Ballkan”.

Aktivitetet e Rusisë karshi Serbisë dhe minoritetit serb në shtetet fqinje: Mal i Zi, Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Maqedoni të Veriut është pjesë e një plani më të gjerë që ka për qellim zvarritjen e integrimit të shteteve të Gadishullit në strukturat Euro-Atlantike, duke e mbajtur si zonë jo-stabile me konflikte protraktive në fqinjësi të BE-së. Përmes mjeteve të infiltruara si koncept “soft power” apo ndërhyrjeve hibride, përmes korrupsionit dhe krimit të organizuar, përpiqet të minojë sistemin e vlerave të brishta të vendosura të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.

(Vazhdon)

Të ngjashme