Vetëm një pjesë e vogël e konsumit ditor mbulohet nga produktet vendore. Rreth 90 për qind e produkteve që mbulojnë raftet e rrjeteve të shitjes me pakicë janë importe që vijnë nga vendet e tjera.
E për ta përmbysur këtë raport, përfaqësues të bizneseve sugjerojnë diskriminim pozitiv për produkte vendore, shkruan sot Koha Ditore.
Ky favorizim, sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, duhet të përfshihet në Ligjin për tregtinë e brendshme. Një iniciativë që duhet përdorur nga institucionet, sipas tij, është marketingu dhe financimi i një pjese të marketingut të produkteve vendore.
“Para se gjithash nevojitet një fuqizim në negociatat që i kanë prodhuesit me rrjetet e shitjes me pakicë. Kur them fuqizim i pozicionit të tyre, i bie që në shumicën e rasteve, pozicionimi më i mirë i tyre në rrjetet e shitjes në pakicë, është rezultat i drejtpërdrejtë i një pagese që këto rrjete shpeshherë e kërkojnë”, ka theksuar Rukiqi. “Një pjesë e madhe e prodhuesve vendorë nuk e kanë fuqinë për ta përballuar këtë, e sidomos në raport me konkurrentë të fuqishëm të trendëve botërore”.
Ajo që do të mundë të bëhej, sipas tij, është që Ministria e Tregtisë të financojë pozicionimin e këtyre produkteve në rrjetet e shitjeve me pakicë.