Importi dhe konkurrenca jo e drejtë në treg e grurit dhe miellit në Kosovë ka ndikuar dukshëm tek bujqit duke ulur interesimin në mbjelljen dhe përpunimin e grurit. Sivjet janë afro 20 mijë hektarë të mbjella me grurë në raport me vitet e kaluara.
Fermerët kërkojnë nga shteti rritje më të madhe të subvencionimit në bujqësi, në mënyrë që të rritet prodhimi i grurit dhe që të jenë më konkurrentë të treg.
Sipas tyre, Kosova ka kapacitete për të prodhuar grurë dhe miell për 8.5 milionë banorë, por që këto kapacitete nuk janë duke u shfrytëzuar për shkak të kushteve të tregut ngase ka shumë vështirësi për eksportimin e miellit.
Para kamerës së Ekonomia Online ata kanë thënë se mielli që eksportohet në Kosovë nga vendet fqinje dhe më gjerë ka bërë që të disfavorizohet prodhimi vendor, për shkak të mbështetjes së madhe që u bëjnë ato vende eksportuesve.
Pal Gjuraj, nga Shoqata e Prodhuesve të Grurit ka shpjeguar arsyet e rënies së interesimit të bujqve që të merren me kultivimin e grurit.
“Arsyeja se përse në këtë vit kemi afro 20 mijë hektarë grurë më pak të mbjellë ka ndodhur për shkak se çmimi i grurit dhe miellit të cilin e prodhojnë bujqit e Kosovës ka qenë jo i barabartë me grurin që është importuar padrejtësisht nga shtetet e tjera”, ka thënë ai për Ekonomia Online.
Ai ka shprehur edhe pakënaqësitë e bujqve në raport me ndarjen e subvencioneve. Sipas tij kushti që iu është vënë bujqve për të drejtën e përfitimit nga subvencionet vetëm sa po i demotivon ata.
“Bujqit e Kosovës marrin 150 euro subvencion për një hektar por kushti që ti ketë minimum 2 hektarë për të drejtë konkurrimi konsiderohet i padrejtë, për këtë arsye kemi kërkuar që subvencionimi të bëhet për rendiment dhe jo për hektar, sepse gjysma e fermerëve po mbeten jashtë kësaj skeme e që po ndikon negativisht në motivim dhe në prodhim të mëtutjeshëm”, ka theksuar Gjuraj.
Ndërsa Mustafë Aliaj, që merret me kultivimin e grurit kërkoi që subvencionet dhe grantet të cilat ndahen nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të rriten, pasi sipas tij, kjo do ta stimulonte bujkun madje edhe do ta zbuste konkurrencën e ashpër që vjen nga jashtë.
“Kërkesat tona janë te subvencionet dhe grantet të ngriten për arsye se konkurrenca e jashtme është shumë e madhe. Nëse subvencionet dhe grantet do të rriteshin atëherë fermerët do të stimuloheshin më shumë që të mbjellin grurin dhe të mbrojë produktin e vet“, ka thënë ai për Ekonomia Online.
Ai nuk la pa përmendur edhe procedurat burokratike me të cilat përballen gjatë aplikimit për të marrë subvencionet.
Ata i bënë thirrje konsumatorëve në vend që të konsumojnë sa më shumë prodhimin vendor, pasi që ata thonë se mielli që prodhohet brenda vendit është bio.
“Prodhimet vendore duhet pa tjetër të konsumohen sepse janë prodhime që prodhohen pa preparate të ndryshme dhe vetëm në sesi të normales dhe të kufizuar, sepse edhe kushtet ekonomike e kufizojnë dhe në këtë rast prodhimi i grurit është përafërsisht bio sepse ne nuk kemi mundësi deshëm apo s’deshëm që t’i furnizojmë me preparate të ndryshme, është i shëndetshëm, i sigurt dhe i domosdoshëm në kuptimin e mbajtjes së familjeve tona të cilët tradicionalisht merren me kultivimin e grurit”, tha ai.
Sa i përket kompensimit të dëmeve nga vërshimet ata thonë se edhe pse është bërë evidentimi i dëmeve, pak nga ta janë kompensuar dëmet që iu janë shkaktuar.
Muhamet Farizi nga Shoqata e Prodhuesve të Grurit dhe Mullinjve ka thënë se Kosova ka kapacitet për të prodhuar grurë dhe miell për 8.5 milionë banorë.
Sipas tij, këto kapacitete nuk janë duke u shfrytëzuar për shkak të kushteve të tregut ngase ka shumë vështirësi për eksportimin e miellit.
Edhe pse tregu për eksportimin grurit ka mbetur vetëm Shqipëria bujqit thonë se edhe aty ballafaqohen me shumë vështirësi të cilat thonë se shteti fqinjë e ka miratuar një ligj, i cili aplikohet për të kontrolluar cilësinë e glotenit në miell, i cili ligj përdoret vetëm për miellin Kosovës dhe jo për miellin e Shqipërisë.
Ata thonë se Ministria e Bujqësisë në Shqipëri me këto forma po i favorizon mullisit e saj. Bujqit e Kosovës vazhdimisht kanë kërkuar nga institucionet e vendit që të trajtohen ashtu si shtetet fqinje që i trajtojnë fermerët dhe produktet e tyre.