Imri Ahmeti tregon detaje pasi 9 persona mbrëmë rezultuan me COVID -19 në Lipjan

Prishtinë | 21 Pri 2020 | 18:29 | Nga Ekonomia Online

13 persona nga komuna e Lipjanit janë konfirmuar deri më tani me COVID-19. Një prej tyre është shëruar, një tjetër po qëndron ne Qendrën e Studentëve në Prishtinë, ndërkaq 11 persona të tjerë të izoluar në shtëpitë e tyre, kryetari I Lipjanit, Imri Ahmeti, ka treguar se 9 rastet e mbrëmshme të cilat rezultuan pozitive janë të gjitha raste kontakti me të prekurin e parë nga e njëjta lagje

Nëntë persona nga Lipjani rezultuan pozitivë në testimet për COVID-19 mbrëmjen e së hënës. Të gjithë këta janë raste kontakti të një personni që kishte dalë poziti para dy netësh nga kjo komunë.

Kryetari I Lipjanit, Imri Ahmeti, ka thënë për Epress se deri më tani janë 11 persona poizivë me COVID-19 nga e njëjta lagje.

“Janë raste të kontaktit të parë që ka dalë para dy netësh pozitiv. Janë kryesisht familjarë dhe kojshi të afërt të tij. 11 persona janë pozitivë në të njëjtën lagje”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti theksoi se nga 13 rastet positive të komunës së Lipjanit, 1 është shëruar dhe 1 tjetër është duke qëndruar në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, pasi kishte ardhur nga jashtë.

“Një rast që e kemi pasur në Janjevë është shëruar, në dy testime ka dalë negative. Një rast tjetër po qëndron i izoluar në konvikt, pasi ka ardhur nga Mali i Zi. Momentalisht në Lipjan i kemi 11 raste aktive”, ka thënë Ahmeti.

Ndërkohë Ahmeti theksoi se Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës i ka gjurmuar kontaktet e personave të cilët dyshohet se kanë pasur kontakte me ata që rezultuan pozitivë mbrëmjen e së hënës.

“Sot janë marrë evidencat me sa persona kanë kontaktuar këta që kanë rezultuar pozitivë, gjatë ditës kanë shkuar për testim disa persona, por ka edhe qytetarë të cilët po shkojnë direkt në Prishtinë për t’u testuar dhe jo përmes QKMF’ve tona”, tha Ahmeti.

Ahmeti tha se qytetarqët e Lipjanit po i respektojnë masat e qeverisë dhe të komunës, për të qëndruar nëpër shtëpitë e tyre si masë parandalimi për përhapjen e koronavirusit.

Ai po ashtu deklaroi se gjendja me furnizime me materiale shpenzuese në QKMF’të e Lipjanit momentalisht është e mirë.

Ndërkohë, numri total i personave të konfirmuar me COVID-19 në Kosovë ka shkuar në 598.

Nga ta, 123 janë shëruar, ndërkaq 16 kanë humbur jetën në tërë territorin e Kosovës.

Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, të mërkurën në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, por do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill.

Të ngjashme