Fondacioni “Hasan Prishtina” të shtunën në kryeqytetin e Kosovës, ka bërë inaugurimin e bustit të heroit kombëtar Hasan Prishtina, me rastin e dy jubileve, atë të 150-vjetorit të lindjes dhe 90-vjetorit të vrasjes së tij, raporton Ekonomia Online.
Mehmet Prishtina, nga ky fondacion tha se, viti 2023 është shpallur si vit i heroit Hasan Prishtina dhe gjatë gjithë viti janë zhvilluar aktivitete në trevat ku heroi ka vepruar.
Ai bëri thirrje që liderët shqiptarë të marrin shembull rrugën e heroit Prishtina.
“Fondacioni Hasan Prishtina ka organizuar vitin 2023 si vit të Hasan Prishtinës, duke bërë aktivitete në trevat ku Hasan Prishtina ka vepruar, që nga Dibra, sot në Prishtinë duke vazhduar në Kukës . Ky fondacion ka bërë edhe libra për Hasan Prishtinën duke iu dhuruar fëmijëve me qëllim të promovimit të veprës së Hasan Prishtinës. Sot më shumë kemi nevojë që liderët të marrin si shembull heroin Hasan Prishtinës dhe të veprojnë . Liderët që nuk nderojnë Hasan Prishtinën janë qyqar”, tha ai.
Profesori Bujar Dugolli, tha se Hasan Prishtina mbetet një ndër figurat më të rëndësishme të historisë shqiptare dhe se do të kujtohet si simbol i sakrificës.
“Sot kujtojmë një figurë të madhe të historisë sonë dhe e kujtojmë si simbol të sakrificës . Hasan Prishtina ishte dhe mbetet një ndër figurat më të rëndësishme të historisë sonë dhe gjithë Kombit tonë si edhe nismëtarë i shumë ngjarjeve kombëtare zbulimi i bustit sot është një urdhër për tu krenuar me trashëgimisë sonë”, tha ai.
Pasardhësi i Gjergj Kastriotit, Loris Kastrioti – Skënderbeu II, tha se ceremoni të tilla janë të rëndësishme sepse i bënë të mos harrojnë historinë dhe të kaluarën.
“Këto ceremoni janë të rëndësishme sepse na tregojnë nga vijmë ne dhe na bëjnë të mos harrojmë historinë, sepse kush nuk njeh historinë nuk njeh vetën dhe ky është një moment unik për të ardhmen tonë historike”, tha ai.
E Qemail Vlora, nipi i Ismail Qemailit, bëri thirrje që shqiptarët të vazhdojnë të jenë bashke si gjithmonë.
Busti i Hasan Prishtinës është përuruar edhe në Peshkopi javën e kaluar, duke u cilësuar kështu frymëzim për të gjithë idealistsët e Kombit .