Në Sheshin “Adem Jashari” u inaugurua zyrtarisht kompleksi modern “Dardania Residence”, një nga projektet më ambicioze të banimit në vend, me investim nga kompania FS INVEST, raporton Ekonomia Online.
Objekti, i ndërtuar sipas standardeve gjermane dhe në përputhje me planin urbanistik, pritet të jetë gati për banim në vitin 2026. Të gjitha njësitë banesore tashmë janë të shitura.
Në ngjarje u prezantua edhe projekti i ri “Blloku B2”, pjesë e fazës së dytë të kompleksit, që parashikon pesë blloqe të ndërlidhura me hapësira publike dhe gjelbërim.
Investitori Fatmir Seferi theksoi se ky projekt është “një kthim në rrënjë dhe urë lidhëse mes diasporës dhe vendlindjes”.
“U prezantua një projekt dhe jam i bindur që të gjithë ju që dëshironi të investoni në një projekt i cili dita me ditë, viti me vit do t’i shtohet vlera, atëherë është vendi ideal “Dardania Rezidencë”, këtu në qendër të Skenderaj.”, tha Seferi.
Ngjarja festive përfshiu muzikë live, argëtim, koktej dhe pjesëmarrjen e figurave publike, përfshirë këngëtaren e njohur Leonora Jakupi, e cila shprehu dëshirën të bëhet banore e kompleksit.
“Është një ndjenjë e veçantë të jesh në shtëpi kur je afër njerëzve të zemrës, është një kënaqësi kur i sheh njerëzit që je rritur me ta dhe i takon rrugëve, i sheh që kanë arritur një sukses të jashtëzakonshëm. Në këtë rast po flas për djemtë e profesorit, që e përgëzoj profesorin për këta djem që i ke rritur dhe je krenar për ta. E di që Fatmiri ka pasur mundësi të investojë në vende të tjera, por e përgëzoj që nuk është kursyer të investojë në vendlindjen e vet. Nuk kam dyshuar që kjo do të jetë projekti më i madh jo vetëm në Drenicë, dua të jem banore e kësaj rezidence.”, theksoi Jakupi.




