Me një ceremoni shtetërore është inauguruar kompleksi i dëshmorëve në Marinë të Skenderajt. Në këtë kompleks janë rivarrosur 158 dëshmorë të zonës së Drenicës.
Gjatë inaugurimit të Kompleksit Memorial në Marinë të Skenderajt, presidenti Hashim Thaçi ka bërë të ditur se ka vendosur që dëshmorët e varrosur në këtë kompleks, t’i nderojë me urdhrin “Hero i Kosovës”.
Ai theksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte projekti politik dhe ushtarak më i suksesshëm që ka krijuar historia e qëndresës dhe rezistencës së popullit shqiptar, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ka thënë se votimi i tri projektligjeve që mundësojnë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në ushtri të vendi do të jenë brenda ditësh ose javën në Kuvend.
Ai ka ftuar për bashkim nga të gjithë, ngase sipas tij, Kosova është tokë e shenjtë.
Ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj tha se askush nuk guxon të luajë e as të ndryshojë kufijtë e Kosovës, sepse sipas tij, ata janë amanet nga luftëtarët e ata që ranë për liri.
Bekim Jashari, kryetar i Skenderajt, gjatë inaugurimit të kompleksit Memorial në Marinë të Skenderajt, tha se nga ky vend ku do të prehen 157 dëshmorë, duhet të merret amaneti për të punuar për të ardhmen e vendit.
Jashari më tej shtoi se pres se ka marrë detyrën si kryetar, qëllim ka pasur që dëshmorët të kenë tretmanin e duhur.
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci në inaugurimin e kompleksit memorial për heronjtë dhe dëshmorët e Marinës ka thënë se sot po bashkohen heronjtë dhe dëshmorët në zemrën e Kosovës, raporton EO.
Ai ka falënderuar presidentin, kryeministrin, kryeparlamentarin, kryetarin e Skenderajt dhe ministrin Rrustem Berisha për këtë iniciativë.