Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh i lumtur për inaugurimin e Qendrës Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e inaugurimit, shefi i Qeverisë tha se kjo qendër paraqet një angazhim e përkushtim dhe një arritje e mundësi domethënëse në këtë rrugëtim.
“Epoka digjitale ka sjell mundësi të papara për progres dhe zhvillim, por edhe sfida të mëdha për mbarë njerëzimin. Nga sulmet kibernetike të sponzoruara nga shtetet jodemokratike, deri te rrjetet e sofistikuara të krimit kibernetik, bota ballafaqohet me situata të cilat kanë ndikim në ekonomitë e shteteve që cenojnë procese demokratike dhe kërcënojnë sigurinë kombëtare dhe përderisa teknologjia vazhdon të përparojë, hendeku i aftësive në fushën e sigurisë kibernetik shkon duke u zgjeruar. Trajnimi dhe edukimi i profesionistëve dhe përdoruesve të teknologjisë, është rruga e vetme për kapërcimin e këtij hendeku në mënyrë që ata të pajisen me njohuritë dhe mjetet që u nevojiten për t’u mbrojtur në mënyrë efektive nga kërcënimet kibernetike”.
Kurti po ashtu, është shprehur se viti i kaluar ka qenë vit i progresit në zhvillimin e shumë iniciativave dhe politikave në fushën e sigurisë kibernetike.
“Inaugurimi i Qendrës Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike paraqet një angazhim e përkushtim dhe një arritje e mundësi domëthenëse në këtë rrugëtim. Viti i kaluar ka qenë vit i progresit në zhvillimin e shumë iniciativave dhe politikave tona në fushën e sigurisë kibernetike. Në shkurt e miratuam Ligjin për Sigurinë Kibernetike që krijon bazën për siguri kibernetike në Republikën e Kosovës, ligji parasheh themelimin e institucioneve kyçe shtetërore përgjegjëse për këtë fushë, përcaktimin e obligimeve për entitetet e insfrastrukturës kibernetike dhe definimin e procedurave për menaxhimine e incidienteve kibernetike. Në muajin nëntor, kuvendi miratoi edhe plotësim ndryshimet e kodit penal për të përfshirë në to nenet e krimeve kibernetike në bazë të konventës së Budapestit”, tha Kurti.
Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, theksoji se sulmet kibernetike janë çdo here e me të shpeshta.
“Krijimi i kësaj qendre ka qenë një ndër prioritetet e para të këtij viti. Do të ofrojë trajnime rreth rreziqeve nga sulmet kibernetike”, tha ai.