Shkolla fillore “Xheladin Gashi-Plaku” në Komoran, tani e tutje do të ketë edhe sallën e edukatës fizike.
Pasi që sot, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, së bashku me ministri e Arsimit, Arsim Bajrami dhe atë të ministrisë së Administratës Publike, Mahir Yagcilar, e vunë gurthemelin e sallës sportive të kësaj shkolle. Aty u panë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, të kësaj ane.
Veseli tha se kjo shkollë e ka vuajtur mungesën e një salle sportive, andaj ka përgëzuar nxënësit dhe mësimdhënësit, duke thënë se tani e tutje do të kenë në dispozicion një sallë moderne, raporton Ekonomia Online.
“Sot kësaj shkolle të bukur do t’i bashkëngjitet diçka që i ka munguar që nga nga dita e parë kur është përuruar, e ajo do të jetë salla e sporteve, e cila iu duhet shumë veçanërisht këtyre të rinjve”, u shpreh Veseli.
Veseli foli edhe për heroin Xheladin Gashin-Plakun, të cilën e mban emrin kjo shkollë, duke thënë se ai e ka dashur shumë lirinë dhe sipas tij ka qenë i gatshëm të sakrifikojë edhe familjen.
Tutje Veseli premtoi edhe diçka që ngjau me fushatë elektorale. Ai tha se vitin e ardhshëm Komorani do të bëhet edhe me shkollë të mesme.
“Sot kam ardhur së bashku me ministrin Arsim Bajrami dhe Mahir Yagcilar. Që nga viti i ardhshëm, Bajrami dhe Yagcilar do të vejnë gurthemelin e shkollës së mesme që i duhet Komoranit”, u shpreh Veselli.
Salla sportive e shkollës fillore “Xheladin Gashi-Plaku” në Komoran, do të financohet nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Administratës Publike.