Shefi i policisë së Koresë së Jugut ka thënë se kontrolli i turmës gjatë përplasjes në Itaewon nuk ishte i duhuri – hera e parë që zyrtarët e pranojnë se nuk bënë mjaftueshëm për ta parandaluar atë.
Mes thirrjeve në rritje për llogaridhënie, Yoon Hee-keun tha se reagimi i policisë ishte “zhgënjyese” dhe se ai ndjente “përgjegjësi të pakufishme për sigurinë publike” për atë që ndodhi.
Incidenti vdekjeprurës la të vdekur 155 persona dhe plagosi 152 të tjerë, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Ai ndodhi të shtunën mbrëma ndërsa turmat u mblodhën në një rrugicë në Itaewon, një lagje popullore e jetës së natës në Seul, për të festuar Halloween pa kufizime për herë të parë që nga Covid.
Yoon tha se policia kishte marrë telefonata të shumta përpara se të ndodhte aksidenti, duke i njoftuar për seriozitetin e situatës, por përgjigjja e tyre mungonte. Policia e Seulit tha se thirrja e parë në numrin e urgjencës së Koresë së Jugut erdhi në orën 18:34 me orën lokale dhe pati 10 thirrje të tjera gjatë tre orëve e gjysmë të ardhshme.
Shefi i policisë tha se policia do të kryejë një “hetim intensiv të shpejtë dhe rigoroz” për të parë nëse janë marrë masat e duhura pas marrjes së thirrjeve dhe nëse oficerët kanë reaguar siç duhet.
Komentet e Yoon pasojnë kërkesat në rritje të publikut për llogaridhënie. Autoritetet fillimisht u përpoqën ta portretizonin atë si një aksident që nuk mund t’i fajësohej lehtë askujt.