Reagimi i Dioqezës së Rashkës–Prizrenit lidhur me heqjen e flamurit të Kishës Ortodokse Serbe në Lipjan përfaqëson një model të qartë të operacioneve hibride të Beogradit, ku një incident i kufizuar kriminal amplifikohet në një narrativë të gjerë religjioze, politike dhe të sigurisë me funksion të shumëfishtë :
🚩 Viktimizim,
🚩 Presion ndërkombëtar,
🚩 Tensionim të klimës ndërkomunitare dhe
🚩 Diskreditim të institucioneve të Kosovës.
Qasja diskursive e Dioqezës, e përqendruar në elementin religjioz dhe në pretendimin e një presioni të organizuar ndaj besimtarëve ortodoksë, ndërtohet në linjë me mekanizmin e njohur të instrumentimit të kishës si mjet të ndikimit strategjik serb. Duke e paraqitur incidentin si sulm ndaj “komunitetit të krishterë ortodoks të mbetur”, reagimi synon të gjenerojë një perceptim të rrezikut ekzistencial, duke e paraqitur Lipjanin si zonë të një pasigurie të vazhdueshme, edhe pse faktet objektive nuk dëshmojnë një model sistematik të kërcënimeve fizike apo strukturale.
📍Narrativa e përdorur – e cila rikthen episodet e vitit 2023, mungesën e ndëshkimit dhe reduktimin demografik të serbëve lokalë – krijon një kontur të qëllimshëm të “braktisjes” dhe “persekutimit gradual”, duke lidhur një akt të vetëm vandalizmi me një proces të gjerë historik që i atribuohet institucioneve të Kosovës, të cilat akuzohen në mënyrë të tërthortë për tolerim të intolerancës fetare dhe mosveprim ndaj krimeve të urrejtjes.
Kjo lloj gjuhë synon të prodhojë dy efekte paralele:
❗️Brenda komunitetit lokal, rritjen e ndjenjës së pasigurisë dhe frikës, duke minuar besimin në institucionet e rendit dhe drejtësisë;
❗️Jashtë Kosovës, krijimin e një imazhi të një shteti që nuk i garanton të drejtat fetare, duke ofruar terren për presion diplomatik, rritjen e interesimit të organizatave ndërkombëtare dhe potencialisht, për ndërhyrje politike të drejtpërdrejta nga Beogradi.
Dimensioni religjioz luan këtu rolin e akceleratës strategjike: duke përdorur gjuhë simbolike të “shenjtërisë”, “besimtarëve të mbetur” dhe “akteve të urrejtjes”, Kisha Ortodokse Serbe projekton incidentin në një kornizë që tejkalon realitetin lokal dhe e shndërron në shembull të gjoja një fushate të organizuar, duke prodhuar një narrativë të ndjeshme për audiencat ndërkombëtare të vëmendshme ndaj çështjeve të lirisë fetare.
Kjo është një teknikë tipike e operacioneve hibride, ku një simbol fetar – në këtë rast flamuri i vendosur në kambanë – shndërrohet në objekt të një konflikti të konstruktuar komunikativ.
❎️ Për më tepër, insistimi i Dioqezës se institucionet e Kosovës “fshehin motivet” dhe “maskojnë shkallën e vërtetë të sulmeve”, përbën një përpjekje të drejtpërdrejtë për të delegjitimuar mekanizmat shtetërorë. Ky diskurs synon të krijojë idenë se Kosova është ose e paaftë ose e papërgjegjshme në garantimin e rendit dhe lirive themelore, duke i ofruar Beogradit një platformë të përsosur për të justifikuar narrativën mujore se serbët në Kosovë jetojnë në një realitet të rrezikshëm dhe të pambrojtur. Pas kësaj fshihet qëllimi i qartë strategjik: përdorimi i komunitetit serb si mjet presioni politik dhe krijimi i një terreni të favorshëm për tensione të reja, sidomos në periudha me ngarkesë politike ose diplomatike.
Në këtë formë të artikuluar, reagimi i Kishës Ortodokse Serbe nuk është thjesht qëndrim fetar, por pjesë e një operacioni të harmonizuar informativ dhe psikologjik, ku incidentet e vogla shndërrohen në episode të një krize të fabrikuar, me synim të qartë: ndikimin e perceptimeve, rritjen e tensioneve dhe aktivizimin e mekanizmave ndërkombëtarë në favor të një narrative që përfiton gjeopolitikisht Beogradi.