INDEP dhe BGF: Kriza energjetike është në radhë të parë krizë e vendimmarrjes dhe politikave të munguara

| 17 Dhj 2021 | 14:02 | Nga

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe Balkan Green Foundation (BGF) kanë shprehur shqetësimin me situatën e rënduar energjetike në vend.

Sipas këtyre organizatave, kjo gjendje është pasojë e mungesës së politikave të mirëfillta në vend për një kohë të gjatë që e kanë lënë Kosovën të varur nga dy termocentrale prej qymyri, të papërgatitur për kriza të tilla dhe pa një shteg të qartë nga e ardhmja.

“Është jashtëzakonisht e padrejtë që nga kjo situatë të dëmtohet konsumatori me paralajmërime për shtrenjtim të çmimeve të energjisë elektrike apo t’i bëhet thirrje që të mos ngrohet në muajt e ftohtë të vitit. Nevojiten veprime urgjente para fjalëve dhe deklarimeve dhe dorë e ndihmës së shtetit para gjuhës fajësuese ndaj qytetarëve!”, thuhet në komunikatën për medie.

“Kriza e çmimeve të importit të energjisë dhe rëniet e papritura të blloqeve të termocentraleve ekzistuese po shpërfaqin problemet e kahmotshme të sistemit energjetik në vend. Kosova po lëngon nga mungesa e investimeve që do të diversifikonin prodhimin dhe miksin energjetik, e cila do të mundësonte ofertën e brendshme më të lirë dhe të përballueshme për qytetarët”.

“Për së paku katër vitet e fundit kemi bërë thirrje që të reformohet skema mbështetëse për burime të ripërtëritshme të energjisë dhe të investohet në programe konkrete të efiçiencës së energjisë. Mos miratimi i Ligjit për Burime të Ripërtritshme sivjet dhe mos shpallja e ankandeve të para për investime në BRE, kanë bërë që ne ende të varemi me mbi 90% nga prodhimi i energjisë nga qymyri”, theksohet në komunikatë.

Të ngjashme