Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) përmes një komunikate për media ka thënë se ka ndjekur me shqetësim zhvillimet e fundit në fushën e energjisë. Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka aprovuar dje bllok tarifat e reja me ndarjen e re që fillon nga 800 kW.
“Sipas njoftim të ZRRE-së, bllok tarifat e reja do të nisin zbatimin do të hyjnë në fuqi me datë 9 shkurt 2022 dhe do të aplikohen deri më 31 mars 2023. Ne jemi të shqetësuar për mundësinë e shkeljes së të drejtave të konsumatorëve përmes faturimit të pasaktë, jotransparent dhe të padrejtë për energjinë e shpenzuar deri me datë 9 shkurt. Për këtë, i bëjmë thirrje ZRRE-së që të sigurohet se ka ndarje të qartë në mes kohës së faturimit me çmimoren e re dhe asaj të vjetër dhe se konsumatorët janë të informuar saktë dhe drejtë mbi këtë proces”.
INDEP konsideron që ZRRE duhet të sqarojë mirë formën se si do të tarifohen konsumatorët për energjinë e shpenzuar gjatë muajit shkurt.
“Bazuar në vendimin e tarifave të reja, KESCO do të duhej të kishte nisur llogaritjen e faturave për energjinë e shpenzuar nga data e tarifimit të fund-muajit janar 2022 deri më datën 8 shkurt 2022 sipas tarifave të vjetra. Më pastaj, KESCO do të duhet të tarifonte përsëri konsumatorët për energjinë e shpenzuar tri javët e fundit të muajit shkurt 2022 me tarifat e reja të aprovuara. Ligji për ZRRE-në, neni 49 i jep ZRRE-së kompentencat ligjore të nevojshme që të veprojë për faturimin e energjisë nga kompanitë e licencuara ndaj konsumatorëve”.
Sipas INDEP, intervenimi i menjëhershëm i ZRRE-së është jashtëzakonisht i nevojshëm në mënyrë që të sigurohet se po zbatohen rregullativat në vend.
“I rikujtojmë ZRRE-së që ka për obligim sigurimin e zbatimit të standardeve të informimit të konsumatorëve dhe sigurimit të cilësisë së shërbimit në bazë të nenit 20 të Ligjit Nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Rregullës së vet ZRRE-së Nr. 17/2019 për Standardet e Cilësisë së Shërbimit të Energjisë Elektrike. Këto dy akte juridike, por edhe nenet 53 dhe 55 të Ligjit Nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike që garantojnë mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve me rastin e matjes dhe faturimit të energjisë së shpenzuar”.