India shënon rekord të rasteve të reja të Coronavirusit

Prishtinë | 02 Maj 2020 | 09:41 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Shëndetësisë e Indisë ka njoftuar se ky vend ka shënuar rekord për numrin ditor të rasteve të reja të Coronavirusit me 2,293 të infektuar për 24 orë.

Kështu, numri i përgjithshëm i të infektuarve në vendin e dytë me popullsinë më të madhe në botë shkoi në 37,366, kurse numri i të vdekurve në 1,218, shkruan “CNN”, transmeton Express.

Popullsia prej 1.3 miliard banorëve e Indisë vazhdon të mbetet në izolim. Kufijtë shtetërorë janë mbyllur, transporti është pezulluar, bizneset janë mbyllur dhe njerëzit janë të urdhëruar të qëndrojnë në shtëpi.

Masat e izolimit, të cilat ndikuan që mijëra njerëz të mbesin të ngujuar larg shtëpive të tyre, pritej të largoheshin nesër. Megjithatë, autoritetet e zgjatën afatin e masave edhe për dy javë të tjera, ndonëse disa prej tyre do të lehtësohen në zonat ku ka më pak raste të Coronavirusit.

Të ngjashme