India ka shënuar rekord ditor të rasteve të reja të coronavirusit me 1,553 të infektuar pikërisht në kohën kur autoritetet kanë filluar t’i lehtësojnë disa prej kufizimeve.
Numri i përgjithshëm i të prekurve nga koronavirusi në shtetin e dytë në botë për numrin më të madh të popullsisë shkoi në 17,265, ndërsa deri më tani kanë vdekur 543 persona.
Ekspertët e sëmundjeve kanë paralajmëruar se kulmi i epidemisë në Indi mund të mos arrijë para qershorit. Qeveria indiane i ka vendosur masat e izolimit që nga 24 marsi.
Megjithatë, prej të martës u mor vendim që të lejohet vazhdimi i punës së punëtorëve imigrantë në fabrika dhe ferma si pjesë e riaktivizimit të disa sektorëve të industrisë dhe bujqësisë.
Në mesin e bizneseve që mund ta vazhdojnë punën janë edhe minierat e thëngjillit dhe rafineritë e karburanteve, ndërsa punëtorët imigrantë kanë të drejtë të udhëtojnë brenda rajoneve.
Pavarësisht rasteve të reja, India mbetet vend me numër të vogël të viktimave dhe të të infektuarve me coronavirus, duke i pasur parasysh numrin e madh të banorëve dhe shifrat e të prekurve në vendet perëndimore, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.