Teksa qeveritë luftojnë për të frenuar transmetimin e COVID-19, ato gjithashtu luftojnë për të ndalur përhapjen e dezinformatave në internet, të lidhura me të.
Pandemia ka rezultuar me përhapjen e shpejtë të teorive të komplotit që paraqesin rrezik për shëndetin publik, një rritje të urrejtjes anti-aziatike në internet, si dhe një përhapje të mashtrimeve mbi COVID-19.
Teoritë e komploteve
Pjesa më e madhe e dezinformatave në internet rreth koronavirusit po shpërndahen nga faqet që kanë mbështetur teoritë e komplotit për tema të tjera, siç janë vaksinat dhe sulmet e 11 shtatorit, thotë John Gregory i NewsGuard, një firmë që vlerëson besueshmërinë e lajmeve dhe faqeve të informacionit. Firma fillimisht vuri re një rritje të dezinformatave mbi COVID-19 në javën e fundit të janarit, pasi virusi filloi të mbulohet gjerësisht në emisionet e lajmeve.
“Pjesa më e madhe e faqeve që ne kemi identifikuar për shkëmbimin e dezinformatave mbi koronavirusin dhe pandeminë janë sitet që ne i kishim vlerësuar tashmë si jo të besueshme”, thotë Gregory.
Në Evropë, firma identifikoi 36 faqe në Facebook që i konsideronte “super-përhapëse” të dezinformimit mbi koronavirusin, të cilat së bashku kishin më shumë se 13 milionë përdorues. “Vëllimi është i pashembullt”, thotë Gregory.
Disa faqe janë duke përdorur COVID-19 si një mënyrë të re për të përhapur lajme, thotë Gregory. Për shembull, faqet e komplotit që kishin pohuar në mënyrë të rreme se sinjalet 5G shkaktojnë kancer, që atëherë kanë nisur të lidhin 5G me pandeminë.
Në Mbretërinë e Bashkuar, Kate Daunt në Universitetin e Cardiffit dhe kolegët e saj anketuan më shumë se 700 njerëz midis 21 marsit dhe 5 prillit, dhe zbuluan se 51 për qind e të anketuarve kishin parë dezinformata rreth koronavirusit gjatë muajit të kaluar.
Lajmet e rreme
Në mesin e grupit që raportoi se nuk kishin parë ndonjë lajm të rremë në lidhje me COVID-19, studiuesit zbuluan se 41 për qind nuk i kontrollonin kurrë lajmet për vërtetësinë e tyre, para se t’i ndanin ato me të tjerët. “Këta individë janë më pak të informuar dhe mund të shohin dezinformim, por pa e kuptuar atë”, thotë Daunt.
Nuk janë thjesht lajme të rreme që po përhapen në internet. Srijan Kumar në Institutin e Teknologjisë së Georgias në Atlanta dhe kolegët e tij vunë re rritje të gjuhës së urrejtjes anti-aziatike në Twitter, duke analizuar gati 31 milionë postime në këtë platformë, në lidhje me COVID-19.
Ata e përkufizuan gjuhën e urrejtjes anti-aziatike, si çdo postim që ishte abuziv ose poshtërues ndaj një individi ose grupeve të njerëzve aziatikë, apo që i fajësonin ata për krijimin, përhapjen ose keqinterpretimin e COVID-19.
Ekipi identifikoi afërsisht 3 për qind – ose 891.000 postime – si gjuhë urrejtjeje, dhe 10 për qind e tyre u postuan nga botet në internet. Ai gjithashtu zbuloi se rreth 200.000 postime ishin kundërurrejtës, domethënë ata kritikonin në mënyrë aktive racizmin dhe gjuhën e urrejtjes, ose mbështesin apo mbronin njerëzit aziatikë.